Shqipëria vlen 85 milionë euro, ja kush është lojtari më i shtrenjtë i kuqezinjve

Shqipëria vlen 85 milionë euro, ja kush është lojtari

Thomas Strakosha është fituesi i ri i Kupës së Italisë.

Gardiani i kombëtares shqiptare luajti titullar në finalen e zhvilluar në Riad të Arabisë Saudite ndaj Juventusit, duel i fituar me shifrat 3-1. Rezultat që vjen pas formës së mirë që po kalon portieri i kuqezinjve, që është padiskutim numri 1 nën urdhërat e Edi Rejës.

Kjo ka sjellë edhe rritjen monetare të kartonit të tij. Sipas portalit të specializuar "Transfermarkt", kartoni i Strakoshës vlen 25 milionë euro, duke u bërë kështu lojtari më i shtrenjtë i kombëtares sonë.

RRITJE – Nuk është vetëm Thomas Strakosha, i cili ka pësuar rritje në vlerën e tij në merkato falë performancave të shkëlqyera me Lacion dhe Kombëtaren. Rritje kanë pësuar dy mbrojtësit e tjerë, Djimsiti dhe Kumbulla, vlera e të cilëve është rritur maksimalisht. Të dy vlejnë nga 10 milionë euro. Rritje të lehta në vlerën e tyre kanë edhe lojtarët si Dermaku, Ismajli e Gjasula.

RËNIE – Elseid Hysaj është ai që ka ndryshuar më së shumti për keq në renditjen e vlerave të lojtarëve të Kombëtares. Në treg, mbrojtësi i Napolit kap vlerën 16 milionë euro. Rënie kanë pësuar edhe futbollistë si Ramadani, Veseli, Manaj, Kamberi dhe Odise Roshi. Shumë prej tyre kanë mbajtur të njëjtat vlera.

Në total, ekipi kuqezi e ka rritur vlerën e tij në treg, duke shkuar afro 85 milionë euro. Bëhet fjalë vetëm për futbollistët që kanë qenë të grumbulluar në listën e fundit nga trajneri Edi Reja për ndeshjet eliminatore.


EMISIONET