“Serbët. Të saktë, të pamëshirshëm, të përpiktë në tortura”

Fragment nga romani “Zero, zero, zero”, nga Roberto Saviano

“Serbët. Të saktë, të pamëshirshëm, të përpiktë në tortura”.

“Broçkulla. Nuk ke parë çeçenët. Kanë disa thika ata, aq të mprehta saqë, sa hap e mbyll sytë, e gjen veten të therur përtokë, të rrëgjakur.”

“Vetëm se këta janë krejt diletantë para liberianëve. Ata të shkulin zemrën nga kraharori dhe ta hanë pa të dalë shpirti akoma.” Kjo është një lojë e vjetër sa bota.

Klasifikimi i mizorive, dhjetë popujt më mizorë në botë. “Po shqiptarët? Ata nuk kënaqen vetëm kur të heqin qafe. Jo, jo, ata pastaj fillojnë e merren edhe me brezat e ardhshëm. I fshijnë të gjithë. Një herë e mirë”.

“Rumunët ta mbështjellin kokën me qese plastike, të lidhin kyçet e duarve te qafa dhe pastaj lënë kohën që të bëjë punën e saj”.

“Kroatët të gozhdojnë këmbët dhe nuk mund të bësh gjë tjetër veçse të lutesh që vdekja të vijë sa më shpejt që të jetë e mundur”. Përshkallëzimi i gjakut, terrorit dhe sadizmit do të vazhdojë edhe ca, derisa mbërrin te trupat speciale, si: legjionarët francezë, El Tercio spanjoll, Bope brazilian. 

Jam ulur në një tryezë të rrumbullakët. Burrat që janë ulur rreth meje fillojnë me radhë të më tregojnë mbi përvojat e tyre dhe koleksionojnë veçoritë kulturore të popujve që njohin më mirë, pasi kanë kryer misione paqeje në territorin e tyre. Është një lloj riti ky, kjo lojë sadiste pak raciste, por, si gjithë ritet, edhe i nevojshëm. Është mënyra e vetme që kanë për t’i thënë vetes se më e keqja ka kaluar, se ia kanë dalë mbanë, se që nga ky çast do të fillojë jeta e vërtetë. Ajo më e mira. Po rri në heshtje.

Si antropolog duhet të ndërhyj sa më pak të jetë e mundur, sepse riti duhet të vazhdojë pa ngecur. Fytyrat e të ftuarve janë serioze dhe kur njëri prej tyre merr fjalën, nuk e shikon në sy atë që ka përballë apo atë që ka folur para tij. Çdokush tregon historinë e tij njëlloj sikur t’i fliste vetes në një dhomë të zbrazur, duke u përpjekur të bindë veten se ajo që ka parë është e keqja absolute. Klasifikime të tilla kam dëgjuar me dhjetëra gjatë këtyre viteve nëpër mbledhje, kongrese, darka, para një pjate me makarona apo nëpër gjyqe. 

Shpesh nuk ishin veçse lista krimesh shtazarake gjithnjë e më çnjerëzore, por dora-dorës që këto episode grumbulloheshin në kokën time, bënte udhë një përcaktor i përbashkët, një tipar kulturor që kthehej e rikthehej me kokëfortësi dhe këmbëngulje. Mizorisë i caktohej një vend nderi në trashëgiminë gjenetike të popujve, duke bërë gabimin e barazimit të gjesteve të mizorisë dhe të luftës me një popull të tërë.

Të hartosh klasifikime të tilla është njëlloj sikur të tregosh muskujt e formuar në palestër pas orësh të tëra stërvitjeje. Ekziston një përgatitje rigoroze dhe e kujdesshme edhe pas aktit të demonstrimit të muskujve, me qëllim që të trembësh kundërshtarin. Nuk ka vend për improvizim, çdo gjë duhet të jetë e projektuar saktësisht. Duhet të kesh arsim. Është arsimi ai që të bën vërtet njeri. Diferencën e bën ajo që t’i mëson. Mizoria mësohet. Nuk lind mizor. Sado që një njeri mund të rritet me prirje të caktuara, të ketë pasur një familje që i ka lënë si trashëgim mllefe dhe dhunë, mizoria mësohet, mizoria përvetësohet. 

Mizoria është diçka që kalon nga mësuesi te nxënësi. Impulsi nuk mjafton, impulsi duhet drejtuar dhe stërvitur. Një trup mund të mësohet që të zbrazet nga shpirti edhe nëse nuk beson te shpirti, edhe nëse beson se e gjitha është një budallallëk fetar, një shpirt fantazues, edhe pse çdo gjë për ty është fibër dhe nerv, vena dhe acid laktik.

E megjithatë, ka diçka aty. Përndryshe, ç’emër mund t’i vësh atij freni që, pikërisht në çastin e fundit, të pengon të prekësh fundin. Ndërgjegje. Shpirt. Ka shumë emra, por sido që ta quash, mund ta komprometosh, ta detyrosh. Të mendosh se mizoria është diçka e brendshme në qenien njerëzore i volit atij që kërkon të lajë ndërgjegjen pa u përballur ende me të. /Bota.al/


EMISIONET