Pasuria e Adriatik Llallës në sekuestro preventive, vlera: 98 milionë lekë

Pasuria e Adriatik Llallës në sekuestro preventive, vlera: 98

Vihet në sekuestro preventive pasuria e paluajtshme e ish prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla. 

Sipas njoftimit të prokurorisë vlera e tregut e këtyre pasurive arrin në shumën 98.772.000 lekë (918,000$ ose 783,000 euro). Bëhet fjalë për një apartament në Durrës dhe mbi 22 mije meter katror tokë arë në Tiranë.

"Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera, janë krijuar dyshime të arsyeshme se disa pasuri të paluajtshme në zotërim të shtetasit Adriatik Llalla përbëjnë produkt të veprës penale" thuhet në njoftimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë.

Më 20 korrik 2018 Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë me vendimin nr 179 vendosi pranimin e kërkesës së Prokurorisë për vendosjen e masës së sigurimit pasurore “sekuestro preventive” për pasuritë e paluajtshme të mëposhtme si apartamente, toke are.  

Ndërkohë sot (23 korrik 2018) Policia Gjyqësore pranë Drejtorisë së Policisë së Shtetit Tiranë ekzekutoi vendimin gjyqësor për sekuestrimin e pasurive të paluajtshme.

Pasurite ne sekuestro preventive

-Apartament banimi, me sipërfaqe 67.2 m², ndodhur në Durrës;  
-Tokë arë, me sipërfaqe 4.500 m², ndodhur në Tiranë;  
-Tokë arë, me sipërfaqe 12.300 m², ndodhur në Tiranë;  
-Tokë arë, me sipërfaqe 3000 m², ndodhur në Tiranë;  
-Tokë arë, me sipërfaqe 2250 m², ndodhur në Tiranë;    

Hetimet

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, mbi bazën e akteve të ardhura për kompetencë lëndore nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, rregjistroi proçedimin penal nr.65 viti 2018, në ngarkim të shtetasit Adriatik Llalla, ish-Prokuror i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë.  

Ky i fundit hetohet për "shpërdorim detyre", "deklarim të rremë të pasurisë" dhe "pastrim të produkteve të veprës penale"

"Në kuadër të hetimeve paraprake të kryera lidhur me këtë proçedim penal, në bashkëpunim të ngushtë me policinë gjyqësore në Drejtorinë Hetimore Qëndrore, pranë Departamentit të Policisë Kriminale të Drejtorisë së Policisë së Shtetit Tiranë, janë kryer një sërë veprimesh hetimore.  Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera, janë krijuar dyshime të arsyeshme se disa pasuri të paluajtshme në zotërim të shtetasit Adriatik Llalla përbëjnë produkt të veprës penale. Për këtë u kërkua në gjykatë vendosja e masës së sigurimit pasuror 'sekuestro preventive" për pasurinë që në vlerë tregu kap shifrën e 98 milione lekeve" shkruhet në njoftimin e prokurorisë i cili  mbyllet duke njoftuar "po vijojnë hetimet e mëtejshme lidhur me këtë proçedim penal në bashkëpunim me policinë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit Tiranë."

Deri tani mësohet se nuk ka ndonjë kërkesë nga prokuroria për masë personale për Adriatik Llallën.

Ish kryeprokurori nuk iu nënshtrua vetingut. Më 11 qershor 2018 Komisioni i Posaçëm i Apelimit la në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për ndërprerjen e vettingut për ish-kryeprokurorin por saktësoi në vendim edhe pjesën e përjashtimit të ish-kryeprokurorit nga e drejta për të qenë për 15 vite pjesë e organeve te sistemit të drejtësisë. 

Ndërsa me 10 shkurt 2018 dorëzoi tek presidenti Meta, dorëheqjen  nga funksionet e magjistratit dhe nga e drejta që i njeh ligji për tu emëruar në një pozicion në nivel të Apelit.  Në fillim të këtij viti Adriatik Llalla u ndalua të udhëtojë drejt SHBA-së pas dyshimeve për përfshirje në korrupsion. 

EMISIONET