Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë Yuri Kim, bëri thirrje për sundimin e ligjit si një mundësi që investitorët e huaj të kenë mundësi të investojnë në Shqipëri. Deklarata e diplomates vjen në një kohë kur Shqipëria shënoi rënien më të madhe të 8 viteve të fundit në Indeksin e Dhomës Amerikane të Tregtisë për klimën e Biznesit.

Shqipëria shënoi rënien më të madhe të 8 viteve të fundit në Indeksin e Dhomës Amerikane të Tregtisë për klimën e Biznesit, duke e konsideruar klimën të pafavorshme.

Por ambasadorja amerikane, Yuri Kim u ka dhënë autoriteteve shqiptare recetën për të fituar besimin dhe investimet e amerikanëve.

“Nëse zbatojmë gjërat që na rekomandohen, ligjet, atëherë e gjithë Shqipëria do të ecë përpara dhe të zhvillohet. Është tepër me rëndësi zbatimi i reformës në drejtësi, dhe asaj zgjedhore, pra të sigurohet sundimi i ligjit, në mënyrë që shqiptarët dhe amerikanët të ndihen të sigurtë dhe të kenë besim që të investojnë në Shqipëri”

Kim ishte në Vlorë ku pati një takim me kryebashkiakun Dritan Leli i cili vlerësoi angazhimin e ShBA për zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe miratimin e Reformës Zgjedhore.

Leli: Por sigurisht me atë që po bëni për Shqipërinë në drejtim të konsolidimit të drejtësisë dhe reformës zgjedhore për të patur përfaqësuesit e denjë në institucionet ku ne punojmë.

Forcimi i marrëdhënieve mes dy vendeve, zhvillimi demokratik i Shqipërisë në rrugën drejt BE dhe rritja e investimeve amerikane të vendin tonë, janë tre prioritetet e shpallura të Ambasadores Yuri Kim.

 

/Ora News.tv/