Politikanët më të pasur të Kosovës, ja kush kryeson

Politikanët më të pasur të Kosovës, ja kush kryeson

Ministri i Jashtëm, presidenti dhe kryeministri në largim i Kosovës janë në radhën e 10 zyrtarëve me rritjen më të madhe të pasurisë në tri vitet e fundit. Të dhënat janë bërë të ditura në platformën e krahasimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë nga viti 2010 deri në vitin 2019, të prezantuar nga Lëvizja Fol. Objekt krahasimi janë rreth 500 zyrtarë të Kosovës.

Politikani më i pasur i Kosovës është ministri i Jashtëm dhe zv./kryeministri Behgjet Pacolli. Pasuria e tij arri në 724 milionë euro. Në vend të dytë renditet presidenti i vendi Hashim Thaçi, pasuria e të cilit arrin në 4.3 milionë euro.

Kryeministri i sapodorëhequr Rramush Haradinaj, ka një pasuri të deklaruar prej 1.9 milionë eurosh.

Në listën e pesë zyrtarëve më të pasur vazhdon të jetë zv/kryeministri Hajderin Kuçi, me 1.4 milionë euro dhe gjithashtu Fatmir Limaj me 882 mijë euro pasuri të deklaruar.

E veçanta e kësaj platforme sipas drejtores Mexhide Demolli, është krahasimi i të gjithë zyrtarëve të lartë publikë që nga viti 2010 deri në vitin 2019, duke filluar nga krerët e shtetit, ministrat, deputetët, kryetarët e komunave dhe të gjithë zyrtarëve e tjerë të cilët kanë mbajtur poste publike. Ajo theksoi gjithashtu se shumë zyrtarë nuk i deklarojnë pasuritë e tyre.

 “Janë rreth 500 zyrtarë publik të cilët janë në këtë platformë. E veçanta e kësaj platforme është se mund të bëhet krahasimi i gjithë atyre zyrtarëve prej vitit 2010 deri në vitin 2019, për kohën sa ata kanë mbajtur pozita në institucionet shtetërore. Kjo platformë përmes filtrave të ndryshëm na mundëson që të bëjmë krahasime, duke filluar nga të gjitha pozitat, që të shohim pasurinë e të gjithëve,” tha ajo.

 Të dhënat e përdorura në këtë platformë janë raporte të publikuara nga Agjencia Kundër Korrupsionit, por që vijnë të përpunuara.

EMISIONET