Policia bashkiake dhunon ricikluesin, reagojnë organizatat

Policia bashkiake dhunon ricikluesin, reagojnë organizatat

Njëmbëdhjetë organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dënuan në një deklaratë të përbashkët dhunimin e një grumbulluesi mbeturinash të riciklueshme nga dy policë bashkiakë të Tiranës.

Videoja e publikuar në rrjetin social Facebook nga Levizja Rinore Egjyptiane & Rome paraqet dy policët që dhunojnë qytetarin, i cili nuk i përgjigjet me dhunë por përpiqet vetëm t’i shpëtojë nga duart ndërkohë që kalimtarët ndalojnë për t’i qetësuar.

“Jemi njohur nëpërmjet mediave online me dhunën e policëve të bashkisë Tiranë ndaj një anëtari të minoritetit rom, i cili i gjendur në kushte të vështira ekonomike për shkak të dështimit të programeve të punësimit si dhe masave të ndërmarra ndaj Covid-19, ka zgjedhur si zgjidhje për të ushqyer familjen mbledhjen e mbetjeve të riciklueshme. Por, siç shihet nga video, kjo gjë nuk është pranuar nga punonjësit e policisë bashkiake Tiranë, duke e dhunuar në shkelje të çdo ligji apo rregulli,” shkruhet në deklaratën e organizatave.

Këto janë sjellje të paligjshme dhe kryhen në mënyrë të përsëritur nga ana e policisë së bashkisë Tiranë.  Shprehemi  të paligjshme, pasi në 2017, institucioni i Avokatit të Popullit nëpërmjet trajtimit të një ankese ka konstatuar se, policia bashkiake Tiranë vepron në tejkalim të kompetencave të saj përsa i përket  masave dhe veprimeve të kryera ndaj ricikluesve si dhe ka rekomanduar mos përsëritjen e veprimeve tilla.

Lidhur me situatën e ndodhur, kërkojmë nga ana e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, të kërkojë falje publike për dhunën e kryer nga ana e punonjësve të tij ndaj anëtarit të minoritetit rom si dhe të marrë masa për pezullimin, hetimin e ngjarjes dhe vendosjen e tyre para drejtësisë,” thonë ata.

Dhuna ndaj ricikluesve dhe ndaj shitësve ambulantë ka qenë e përsëritur dhe mbi baza të paqarta ligjore nga ana e Policisë Bashkiake të Tiranës.



EMISIONET