Një skandal trukimesh pritet të godasë futbollin spanjoll. Nën akuzë janë tre skuadra të La Liga, me ish drejtorin sportiv të Osasunës, Angel Luis Vizcay që nuk është menduar dy herë për të zbuluar gjithçka.

Para hetuesve, Vizcay ka pohuar se klubi i drejtuar prej tij ka joshur me shuma të majme parash ekipe si Getafe, Real Betis dhe Espanyol për të fiksuar, humbur apo të lëshojë ndeshje kundër rivalëve që diskutojnë qëndrimin apo kualifikimin në Europë.

Pretendime që janë hedhur poshtë nga ish presidenti i Osasunës, Miguel Archanco. Megjithatë, këto kanë përfunduar në veshët e UEFA-s që janë në pritje të mbylljes së gjyqit për të dhënë edhe verdiktet finale.

Edhe pse kanë kaluar disa vite, të katër ekipet e implikuar mund të përballen me ndëshkime dhe përjashtim nga kompeticionet evropiane mund të ishte një prej tyre.

Në të kaluarën, Besiktas, Fenerbahce, Sivasspor dhe ekipi shqiptar, Skënderbeu kanë pësuar sanksione të ngjashme për raste të ngjashme. Tani për tani, gjyqi po vazhdon dhe UEFA do të duhet të presë për të dalë në shumë detaje.

/Ora News.tv/