Parlamenti Europian ka mbështetur idenë e hapjes së negociatave për Shqipërinë në verën e vitit 2019, ndërsa rezoluta e hartuar nga raporteri, Knut Fleckenstein, ka marrë 459 vota pro, 112 kundër dhe 62 abstenime.

Dokumenti i hartuar nga eurodeputeti vë në dukje progresin e vendit tona në fushat prioritare, por nënvizon gjithashtu rëndësinë e mbajtjes së kësaj ecurie pozitive, e sidomos në reformën në drejtësi si dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. 

Në prezantimin e raportit gjatë debatit, Fleckenstein deklaroi se tashmë Këshilli i Bashkimit Europian duhet të mbajë fjalën e dhënë gjatë qershorit dhe duhet të miratojë çeljen e procesit negociator për anëtarësimin e Shqipërisë.

Megjithatë, porositë e tij nuk munguan as për Tiranën zyrtare ku kërkohet që të përmbushen detyrat e shtëpisë. Ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë mbetet për BE-në një çështje thelbësore.

Reagon Bushati

Përmes një postimi në Twitter ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati u shpreh mirënjohës për mbështetjen e fortë të Parlamentit Evropian në procesin e aderimit në Bashkimin Evropian.

"Raporti pranon qartë përparim e bërë në fushat që lidhen me sundimin e ligjit.  Votimi i raportit, thirrje për fillimin e bisedimeve të pranimit në 2019. Shqipëria është gati për faqen e re sfiduese të procesit të pranimit"

PE per Kosoven
Sa i përket Kosovës, raporti vlerëson përmbushjen e të gjitha kritereve për liberalizimin e vizave, ndërsa raporteri, Igor Sholtes, u shpreh se duhet të ecet me hapin final për këtë çështje. Ndërkaq, duke komentuar vendosjen e taksës 100% për produktet serbe, eurodeputeti nënvizoi se debatet nuk zgjidhen përmes vendimeve të tepruara.

Gjatë seancës u miratuan gjithashtu edhe rezolutat për Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë. Ndërkaq, i pranishëm më herët gjatë diskutimeve, komisioneri për zgjerimin Johannes Hahn, është ndalur veçanërisht në gjendjen e rajonit duke u shprehur se Ballkani duhet të vijojë të mbetet lart në axhendën politike të BE-së.
Sipas tij, është mjaft e rëndësishme që të dërgohet deri në fund marrëveshja për çështjen e emrit mes Kosovës dhe Serbisë si dhe akordi për emrin mes Athinës dhe Shkupit. 

/Ora News.tv/