Pastrohet ajri, ndotja në kryeqytetin grek bie me 50 për qind

Pastrohet ajri, ndotja në kryeqytetin grek bie me 50 për qind

Qielli në Athinë duket sërish blu dhe kjo falë masave kufizuese në fuqi për të frenuar përhapjen e koronavirusit. Ekspertët e mjedisit thonë se ndotja e mëparshme e ajrit, që ka dëmtuar edhe monumentet antike të trashëgimisë kulturore, ka rënë tani me 50 për qind.

Kufizimet e vendosura në Athinë për të ngadalësuar përhapjen e koroanvirusit sollën qiell të kthjellët mbi kryeqytetin grek, i njohur shpesh herë për ndotjen e lartë dhe tymin e trafikut. Studimet atmosferike tregon se që prej vendosjes së kufizimeve ndotja ra me rreth 50 për qind.

Studimi i kryer nga Observatori Kombëtar i Athinës nga 15 marsi deri më 11 prill tregoi reduktimin e monoksidit të karbonit, oksidit të nitrogjenit, dhe emetimet e aerosolit nga 40 në 50 për qind, dhe deri në 20 për qind për grimcat e imëta.

Një studim tjetër i realizuar në fund të marsit nga Departamenti i Ndryshimit të Klimës dhe Cilësisë së Atmosferës pranë Ministrisë së Mjedisit, tregoi rënien e nivelit të dyoksidit të azotit dhe mikrogrimcave në stacionet matëse në qytet, nga 20 në 30 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë tre vite më parë.

"Pra, ndoshta një nga ato pak gjëra të mira që ndodhën nga shpërthimi i koronavirusit ishte ulja e ndotjes së ajrit në nivel global, dhe veçanërisht në rajone me popullsi të dendur si Athina," thotë eksperti i klimës Christos Zerefos.

Ai shton se ndryshimi i pashembullt i cilësisë mund të krahasohet vetëm me periudhën e krizës financiare, kur ra prodhimi bujqësor dhe ai industrial.

Kufizimet e lëvizjes filluan në mars me anulimin e karnavaleve. Më 10 mars u mbyllën shkollat dhe izolimi i plotë u vendos më 23 mars. Kufizimet do të jenë në fuqi deri më 27 prill.

Për vite me radhë, Athina ka vuajtur nga ndotja e ajrit nga gazrat e shkarkuar nga makinat. Ndotja solli pasoja edhe për monumentet e lashta të trashëgimisë kulturore të qytetit, siç është tempulli i Partenonit, për të cilin ekspertët madje sugjeruan vendosjen e një kupole xhami. 

EMISIONET