'Pas dëshpërimit ka shpresë', shprehja e poetit turk te pakot e ndihmave të Turqisë për Italinë

Turqia i ka dërguar produkte të ndihmës mjekësore Spanjës dhe Italisë, dy vendet që janë duke vuajtur më shumë nga koronavirusi.

Avioni A400M i Forcave Ajrore Turke i dërguar me koordinim të Ministrisë turke të Mbrojtjes ka arritur në Itali pasi fillimisht ndaloi në Spanjë, ku gjithashtu u dërguan ndihma, shkruan Anadolu Agenncy.

"Avioni Forcave të Armatosura Turke me pajisje mjekësore që u ngrit nga Madridi, Spanjë, arriti në qytetin e Romës në Itali", njoftoi Ministria turke e Mbrojtjes.

Ndihma e dërguar nga Turqia, ndër të tjera, përfshin maska të prodhuara në Turqi, maska anatomike, syze mbrojtëse, veshje mbrojtëse dhe lëng antibakterial.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Italisë, Luigi Di Maio, i cili ka dalë për të pritur avionin, shprehu falënderime ndaj Turqisë për mbështetjen.

"Ndihma juaj e sotme është shumë e rëndësishme për ne. Falënderojmë presidentin (Recep Tayyip) Erdoğan, ministrin e Jashtëm (Mevlüt) Çavuşoğlu dhe popullin turk për solidaritetin", tha Di Maio.

Një detaj që ra në sy ishte se mbi kutitë e ndihmës është vendosur një letër ku është shkruar në gjuhën italiane dhe spanjolle një shprehje e poetit dhe dijetarit turk Xhelaludin Mevlana (Rumi) ku thuhej: “Pas dëshpërimit ka shumë shpresë. Pas errësirës ka shumë diell”.

EMISIONET