Që ditën e parë pas tërmetit, modelja shqiptare me njohje dhe ndikim tek mijëra njerëz në botë bëri hapin e parë për të ndihmuar Shqipërinë.

Në rrjetet e saj sociale shpërndau adresat ku të gjithë mund të kontribuojnë që Shqipëria të kalojë këtë moment të vështirë.

Njëherësh lajmëroi nismat e saj në ndihmë të njerëzve ne nevojë.

Fushata e saj deri tani ka mbledhur mbi 23 mijë euro.

Por siç thotë vetë, përmasat e vërteta të tragjedisë i njohu këtë të enjte kur vizitoi Durrësin e shkatërruar nga tërmeti.

Angela Martini: “Është ndryshe kur e sheh në lajme dhe është ndryshe kur e sheh vetë.”

Ajo që pa thotë se e ka motivuar që të bëjë më shumë për të ndërgjegjësuar të gjithë ata që do të mundet për të ndihmuar Shqipërinë

Angela Martini: “Do vazhdoj të mbledh jashtë vendit,  me miqtë e mi që të kontribuojmë, për të ndihmuar shtetin tonë dhe viktimat.”

Kamera e Ora News në Durrës e shoqëroi modelen ndërsa pa nga afër disa nga zonat më të dëmtuara në Durrës, ku humbën jetën 24 viktima, por edhe në takimet me të mbijetuarit që tashmë kërkojnë shpresë.

Dhe në fund Angela Martini kishte një mesazh.

Angela Martini: “Duhet të ndihmojmë njerëzit dhe të japim ndihma financiare 5 euro, 1 , euro,  100 euro apo 10 euro. Çdokush mundet të ndihmojë me diçka të vogël këto njerëz që të ecin përpara dhe të kemi shpresë se gjithçka do të rregullohet.”

Artistë e personalitete të shumta shqiptare me famë ndërkombëtare janë solidarizuar dhe kanë lancuar nisma për të lehtësuar rikuperimin e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit.

Krahas Angela Martinit, pak ditë më parë nga Amerika e largët në mbështetje të shqiptarëve ishte edhe këngëtarja Bebe Rexha.

/Ora News.tv/