Arrestohen në flagrancë 5 shtetas në zonën e Plepave gjatë operacionit të koduar "Segmenti".

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Golf” që drejtohej nga shtetasi Abedin Llajaj, sekuestrohen 20 kg lëndë e dyshuar marijuanë, një sasi kokaine, ekstazi, fara kanabisi për kultivim, 5 aparate celularë dhe 2 automjete.

“Në aksin rrugor Kavajë-Durrës, në segmentin e quajtur "Plepat", shërbimet e Policisë kanë evidentuar dy mjete. Njëri nga mjetet qarkullonte në një distancë rreth 1 km larg nga mjeti tjetër, me qëllim sinjalizmin e personave që ndodheshin në mjetin tjetër që transportonte lëndën narkotike. Falë veprimeve të shpejta u bë i mundur evidentimi edhe i mjetit tjetër që dyshohej se transportonte lëndën narkotike dhe falë ndërhyrjes profesionale u bë bllokimi në të njëjtën kohë i të dy automjeteve, kapja dhe vënia në pranga e 5 personave” – njofton policia.

Të arrestuarit janë: Abedin Llajaj, 33 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë, Nertian Lamaj, 35 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, Aleks Mecorapaj, 47 vjeç, lindur në Vlorë, Ardit Petraj, 34 vjeç, lindur Fier dhe banues në Tiranë dhe Ervin Begaj,, 38 vjeç, lindur e banues në Tiranë.    

Gjithashtu u sekuestrua edhe automjeti tip “Passat” me drejtues shtetasin Aleks Mecorapaj, dhe pasagjerë shtetasit Ervin Begaj, Ardit Petraj dhe Nertian Lamaj, i cili shërbente për të kontrolluar nëse kishte punonjës policie apo pika kontrolli në rrugë.

/Ora News.tv/