Partizani shënoi humbjen e tretë rradhazi në kampionat me shifrat 0-1 ndaj Vllaznisë.

Pas disfatës në transfertën me veriorët, drejtori sportiv i "Demave të kuq", Olsi Rama, është shprehur i zhgënjyer për lojën e skuadrës.

Gjithashtu ai u shpreh se trajneri Sormani nuk do të largohet nga klubi, pavarësisht rezultateve të fundit jo të mira të skuadrës.

Olsi Rama: Është një humbje që dhemb dhe që bën "pis" kampionatin. Ne do vazhdojmë të luajmë dhe do të kërkojmë respekt nga kundërshtarët. Trajneri do të qëndrojë pasi e kemi marrë për një periudhë të gjatë. Kur e morëm nuk i kërkuam titullin kampion. Por të rindërtojmë bazat e asaj që tentuam të hidhnim një vit më parë. Vllaznia luajti më shumë se ne. Unë nuk jam i kënaqur nga loja e ekipit. Të gjithë pa përjashtim nuk dhanë atë që pritej ndaj ishte dhe një humbje. Vjet në fazën e parë morëm një fitore në Shkodër por nuk luajtëm mirë dhe nuk e di se sa e merituar ishte. 

I pyetur nëse mungesa e Trashit ka ndikuar në skuadër, ai është shprehur se më shumë ndikon mungesa e frymës së ekipit.

Nuk është vetëm mungesa e mefushorit ajo që ka ndikuar në lojën e të kuqve.

Olsi Rama: Mungesa e Trashit ndikon negativisht. Mungon shpirti i grupit dhe skuadrës të cilën lojtarët nuk po e shprehin. Janë lojtarë që nuk janë mësuar të luajnë për këto objektiva. Trashi është një lotar shumë i rëndësishëm por të rëndësishëm janë të gjithë që futen në fushë. Fakti që luajtëm pa tifozë është një humbje për futbolli por përballë një emergjence të tillë është mundësia e vetme. Më vjen keq se sa herë që vij në Shkodër, është një fushë ku luhet futboll dhe sportdashësit janë model dhe gjithmonë e respektojnë futbollin. 

Ndërsa për vijimësinë e kampionatit si dhe ecurinë e mirë të Tiranës në krye të klasifikimit, Rama nuk ka dashur ta komentojë.

Sipas tij, objektivi i vetëm i skuadrës tani janë ndeshjet ardhshme.

Vendi i dytë është 9 pikë larg vendit kampion. A mund të quhet kampionati i mbyllur?

Olsi Rama: Unë mendoj që ne do t'i marrim ndeshjet një e nga një. Nuk bëjm hesape për të zënë vendin e parë apo të dytë. Ne duhet të japim maksimumin. Nëse humbim apo fitojmë është çështje e asaj që japim në fushë. Sot nuk e dhamë dhe e merituam të humbim. 

/Ora News.tv/