Ngjela: As Basha e as Rama nuk dalin deputetë me listat e hapura

Ngjela: As Basha e as Rama nuk dalin deputetë me listat e hapura

Ditën e sotme (1 korrik), mazhoranca depozitoi në Kuvend draftin përfundimtar të reformës zgjedhore të dakordësuar mes palëve politike.

Ky draft do t'i kalojë për shqyrtim komisionit të ligjeve. Ndërkohë në këshillin e legjislacionit po diskutohet kërkesa e pakicës paralmentare për hapjen e listave dhe heqjen e koalicioneve parazgjedhore.

Avokati Spartak Ngjela i qëndron sërish idesë se është e vështirë ndryshimi i sistemit.

Kjo pasi sipas tij, as Rama dhe as Basha nuk mund të dalin deputetë me listat e hapura.

Ngjela: Përsa i përket asaj që kërkon mazhoranca, heqja e koalicioneve parazgjedhore është normale. Nuk është ndonjë kusht demokracie. Kurse listat e hapura janë kusht i demokracisë. Por këta e kanë shumë vështirë ta bëjnë sepse nuk dalin. As Basha e as Rama nuk dalin deputetë me listat e hapura. Sepse janë konflikuar me bazën klasike të partive. Lista e hapur nuk është lista e partisë. Lista e partisë vjen nga mbledhja e thjeshtë e numrit të votave që ka marrë secili kandidat. Historia na ka treguar se kështu janë rrëzuar kryetarët e partive në perëndim. Baza e partisë nuk i voton, në vend të votojë kryetarin voton tjetrin e si pasojë kryetari nuk merr dot vota si deputet dhe bie si kryetar. Këtë nuk e bëjnë këta sepse janë të dy artificë. Edhe Rama edhe Basha nuk janë rrjedhojë e karrierës brenda partisë. Janë artifica që janë vendosur për një qëllim të caktuar kryetarë.

I ftuar në Ora News, avokati Spartak Ngjela beson se reforma në drejtësi mund të realizohet nga datat 15 korrik deri në 15 shtator kjo për shkak të vizitave të ambasadores amerikane Yuri Kim tek liderët politik. Ajo i kërkoi dhe kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçit për ngritjen sa më të shpejtë të Gjykatës Kushtetuese.

Ngjela thotë se brenda 20-30 ditëve, në Shqipëri do të vijnë hetuesit e parë nga ShBA të cilët do të jenë në ndihmë të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).

Ngjela: Nuk përfaqësojnë asgjë ato, Kodi Zgjedhor nuk ndalon dot manipulimin e zgjedhjeve. Manipulimin e ndalon vetëm një pushtet gjyqësor i pavarur. E shikoni që nuk merret politika amerikane fare me të, por merret me reformën në drejtësi. Nëse krijohet një pushtet gjyqësor i pavarur këta i fusin në burg brenda 24 orëve. Por a do vendose? Ne kemi shpresë tek politika amerikane pasi është zotuar 3 herë që do ta bëjë reformën në drejtësi. Nëse ne nuk do ta vendosim pushtetin gjyqësor, kurrë mos shpresoni për votë të lirë. Nëse bëhet reforma në drejtësi vendoset automatikisht që administrata zgjedhore të mos jetë e politizuar. I merr dhe i nxjerr direkt jashtë këta manipulues të vjetër. 

Lufta kundër korrupsionit krijon dhe hapësirën e votës së lirë në Shqipëri. Shenjat i kemi nga 15 korriku deri në 15 shtator. 15 korrik e më tej ambasadorja amerikane ka thërritur palët, i shkoi dhe kryetarit të Kuvendit e i ka thënë që dua Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. Është faza e fundit e reformës në drejtësi dhe pritet që brenda 20-30 ditësh të vijnë hetuesit e parë nga ShBA, dhe FBI në mbështetje për BKH. Kur të vijnë këta shife që do të fillojë loja.

Avokati Ngjela gjithashtu komentoi dhe vendimin e Komisionit të Venecias për Presidentin e Shqipërisë Ilir Meta.

Ngjela: Ngërçi ka qenë presidenti. Presidenti rrezikon të shkojë në atë gjykatë. Ai akuzohet se ka krijuar një ditë të re zgjedhjesh. Do shkojë në Gjykatën Kushtetuese. Gjykatën donte ta bënte ai se do shkojë atje. Socialistët nëse tërhiqen nga akuzat për Metën, diskreditohen nga opinioni publik. Diskreditohen dhe ndërkombtarisht. Ai do shkojë me këmbët e tij në Gjykatën Kushtetuese. Një nga arsyet kryesore që politika amerikane kërkon me ngulm Gjykatën Kushtetuese kuptohet që është gjyqi që do t'i bëhet Presidentit. Atje fillon lufta antikorrupsion në Shqipëri.

Intervista në studio me gazetaren Matilda Mcini, përgatiti në online Endi Mullaj

EMISIONET