Nevoja ulëritëse për një marrëveshje gjithëpërfshirëse

Nevoja ulëritëse për një marrëveshje

Partia “Zgjidhja” nëpërmjet një deklarate për shtyp thkson nevojën urgjente të një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Deklarata e plotë:

Shumica e zgjedhur nga Partia Socialiste në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve refuzoi të zbatojë dekretin e firmosur sot nga Presidenti i Republikës për anulimin e datës së zgjedhjeve më 30 qershor. Nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba, tha se dekreti i Presidentit Meta për shfuqizimin e dekretit të mëparshëm për caktimin e 30 qershorit si datë e zgjedhjeve vendore, është i pavlefshëm. “Ai ka diskrecion të caktojë vetëm një datë brenda periudhës zgjedhore dhe jo të mos caktojë një datë zgjedhjesh, pasi sot Shqipëria është pa një datë zgjedhjesh. Presidenti me vetëdije refuzon të zbatojë detyrimet kushtetuese. Akti i pavlefshëm nuk sjell asnjë pasojë juridike. Ai konsiderohet që nuk ekziston”.

Ndërkohë paradite, Kryesia e Partisë Socialiste vendosi që të nisë pa vonesë procedurat për shkarkimin e Presidentit, në seancën plenare të Kuvendit, këtë të enjte, për të cilin duhen 2/3 e votave, që shumica e majtë mund t’i bëjë bashkë me ‘opozitën e re’, e cila, përmes deputetit Myslym Murrizi, deklaroi se ishte kundër dekretit të presidentit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Partia ‘Zgjidhja’ e përshëndeti zhdekretimin e zgjedhjeve të 30 qershorit nga ana e kreut të shtetit, si hapi i parë që vendi të mos shkojë në përplasje civile në ditën e fiksuar nga PS-ja për ditën e votimeve, ku në 35 bashki kandidatët e qeverisë nuk kanë as kundërshtar.

Partia ‘Zgjidhja’ i kërkoi shumicës që të respektonte vendimin e presidentit sepse zgjatja e krizës politike është me pasoja të rënda dhe të pakthyeshme për vendin. Ajo ka që në fillim të muajit prill që u kërkon palëve politike që të përkrahin dhe të zbatojnë Paktin Kombëtar për zgjidhjen e krizës politike, i cili do të garantojë një reformë e thellë kushtetuese dhe elektorale, që do të kryhet nga një qeveri teknike.

Por, për fat të keq, Rama me të tijtë po shkojnë me kokëfortësi drejt 30 qershorit, siç ishte edhe fjala e kryeministrit në mbledhjen e sotme të kryesisë, edhe pse një takim për prezantimin e kandidatit të saj në Kamëz u unulua.

‘Zgjidhja’ konstaton se zhdekretimi i 30 qershorit është i pamjaftueshëm për një vend ku populli është i përjashtuar nga zgjedhja e përfaqësuesve të vet dhe ku zgjedhjet janë festa vetëm për kusarët e votave dhe më pas të pasurive publike. Një shembull demokracie vjen nga fqinji ynë lindor, edhe pse atje s’ka patur asnjëherë probleme me votimet, akuza për vjedhje votash dhe deformim rezultati siç ndodh çdo dy vjet në Shqipëri. Homologu i z.Meta në Maqedoninë e Veriut, Stevo Pendarovski, edhe pse pak javë në detyrën e kreut të shtetit, propozoi dje nisma më të thella, siç është ndryshimi i Kodit Zgjedhor në sistem proporcional me më pak njësi zgjedhore dhe me lista të hapura, si dhe pa prag zgjedhor apo me një prag të minimal të votave të nevojshme, në funksion të zgjerimit të përfaqësimit politik në Kuvend, sepse kodi zgjedhor aktual parashikon një sistem proporcional me gjashtë njësi zgjedhore dhe me lista të mbyllura.
Interesant është fakti se edhe partia e opozitës, VMRO-DPMNE, nuk u shpreh kundër, duke lënë të kuptohet se të gjithë duan një model i ri zgjedhor do të mundësonte qytetarëve që të zgjedhin jo vetëm parti politike, por edhe kandidatët. 

Në Shqipëri ndodh e kundërta. Partitë kryesore, PS, PD dhe LSI, edhe pse kundërshtare me njëra-tjetrën, nuk duan të lëshojnë kodin aktual zgjedhor që jo vetëm ka lista të mbyllura, por edhe administrimin e procesit zgjedhor ekskluzivisht prej tyre, çka ka sjellë deformimin e plotë të përfaqësimit të popullit përmes kandidatëve për pushtetin legjislativ dhe atë vendor.
Edhe partia që më parë drejtohej de jure nga presidenti aktual nuk ka thënë një fjalë për ndryshimin e sistemit, edhe pse ishte e vetmja që bëri edhe grevë urie në parlament, me deputetët e saj, pas marrëveshjes famëkeqe Berisha-Rama më 21 prill 2008.

‘Zgjidhja’ këmbëngul që vetëm një marrëveshje gjithëpërfshirëse për reformën kushtetuese dhe atë elektorale do ta zgjidhë krizën. Pakti Kombëtar i propozuar nga partia ‘Zgjidhja’ është përkrahur nga përfaqësues të politikës, shoqërisë civile, intelektualë dhe rinia. Por ai duhet të bëhet agjenda udhërrëfyese e palëve politike për daljen përfundimtare nga spiralja e krizës. Me kokëfortësi dhe agjendë partiake, vendi do të shkojë drejt kaosit dhe përplasjes, ndërsa me urtësi dhe me zgjidhje të mençur politike, ai do të prosperojë dhe demokratizohet. Shqipëria ka nevojë urgjente për këtë të fundit.

EMISIONET