Maqedonia shënoi një ulje të lehtë të rasteve të reja këtë të hënë, me 78 persona pozitiv me Covid në 24 orët e fundit nga 894 teste të kryera.

Ndërkohë 5 pacientë e humbën betejën me koronavirusin ndërsa 172 të tjerë janë shëruar.

Nga pesë pacientët që vdiqën, tre ishin nga Shkupi, një nga Kumanova dhe një nga Struga.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipce tha se pritshmëritë se virusi do të zhdukej  gjatë verës nuk u realizuan.

"Virusi është këtu dhe padyshim që do të qëndrojë për një kohë të gjatë. Ne duhet të jemi të përgatitur, të përgatisim sistemin shëndetësor dhe të respektojmë masat mbrojtëse" tha ai.

Madje sipas tij vjeshta do të sjellë një valë të re infeksioni ku virusi do të jetë më agresiv dhe do të përhapet më shpejt.

"Bota është larg nga fundi i pandemisë. Në rajonin e Ballkanit, kriza është përshkallëzuar kudo këto 10 ditët e fundit. Në Serbi ka mbi 300 raste në ditë, Bullgaria mbi 150, Bosnja mbi 170, Kroacia 86, Mali i Zi 57, Shqipëria 70, Kosova 100 në ditë. Ka një valë të re kudo. Ajo erdhi fillimisht te ne, dhe tani në të gjitha vendet përreth, kryesisht si rezultat i braktisjes së masave kufizuese dhe mosrespektim masa mbrojtëse personale. 

Unë mendoj se muajt e vjeshtës do të jenë një rrezik i madh për shkak të hapjes së kopshteve dhe shkollave, kështu që ne jemi duke krijuar kapacitete shtesë. Kjo është arsyeja pse ne duhet të respektojmë masat. Ajo frekuencë e shpeshtë e lëvizjes së studentëve dhe fëmijëve, pamundësia për të pritur në rresht si tani, sepse është më ftohtë në vjeshtë. Të gjithë do të duhet të jemi të vetëdijshëm se nëse nuk zbatojmë masat, do të na duhet të vendosim kufizime. Vjeshta është një periudhë shumë e rrezikshme për të gjitha vendet në botë," tha Ministri.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ai tha se në ditët në vijim Komisioni për Mbrojtjen nga Sëmundjet Infektive do të monitorojë situatën me zhvillimin e infeksionit të Covid-19 në Serbi dhe Kosovë dhe nëse vlerësohet se ka nevojë, do të konsiderohet mundësia e prezantimit të masave të caktuara kufitare.

"Është e mundur që ne të propozojmë disa masa, në rast se vlerësojmë se rreziku i qytetarëve të këtyre vendeve që hyjnë në vendin tonë mund të rrezikojë sistemin tonë," tha Filipce.

Numri i përgjithshëm i rasteve të diagnostikuara në vend që nga fillimi i epidemisë është 7,124, numri i pacientëve të shëruar është 3,199, numri i vdekjeve është 346, dhe aktualisht numri i rasteve aktive në vend është 3.579.

Në total janë kryer gjithsej 68.059 teste.

/Ora News.tv/