Dy pacientë të prekur nga Covid-19 kanë humbur jetën në spitalin infektiv në Tiranë duke e çuar në 41 numrin e viktimave që nga fillimi i pandemisë në Shqipëri.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se një 67-vjeçar nga Tirana i prekur nga COVID19, me sëmundje bashkëshoqëruese të diabetit, fibrilacionit atrial, hipertension dhe alzheimer, ka humbur jetën pas nje rëndimi të papritur nga çrregullimi i frymëmarrjes dhe zemrës.

Më herët, në spitalin infektiv ndërroi jetë edhe një paciente 73-vjeçare nga Shkodra, e cila vuante nga hipertensioni, e shtruar prej disa ditësh në terapi intensive në gjendje të rëndë. Në përditësimin e të enjtes Ministria e Shëndetësisë kishte njoftuar edhe për një tjetër viktimë gjatë 24 orëve të fundit ku rastet e reja me koronavirus pësuan përsëri rritje me 66 të infektuar. Numrin më të larët të të prekurve e ka tirana me 32 raste pozitive.

''32 raste në Tiranë, 12 në Krujë, 7 në Vlorë, 6 në Durrës, nga 3 raste në Shkodër dhe Fier, nga 1 rast përkatësisht në Tropojë, Lezhë, Elbasan.''

Aktualisht në spitalin infektiv po marrin mjekim 55 pacientë,  8 në terapi intensive. Nga fillimi i pandemisë  në vendin tonë janë regjistruar 1,788 raste pozitive, nga të cilët 1,086 janë shëruar.  Numrin më të lartë të rasteve aktive e ka Tirana me 326, e ndjekur nga Durrësi dhe Shkodra.

Prej  fundit të muajit maj dhe fillimit të qershorit  është rritur ndjeshëm kurba e të prekurve me koronavirus, ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë apelon qyetarët dhe bizneset të zbatojnë me përpikmëri rregullat anti covid.

/Ora News.tv/