Ndërkallje e “360gradë” - Vdekja e George Floyd, protesta ne SHBA dhe Britani

Ndërkallje e “360gradë” - Vdekja e George Floyd, protesta

Mijëra demonstrues u mblodhën në Uashington, qytete të tjera të Shteteve të Bashkuara dhe në vende të tjera, duke protestuar kundër racizmit dhe dhunës disproporcionale ndaj afrikano-amerikanëve nga policia, afro dy javë pas vdekjes së një afrikano-amerikani në duart e policëve në Mineapolis.

Protestuesit paqësorë marshuan nga shumë drejtime duke u mbledhur para Shtëpisë së Bardhë. Disa grupe nën ombrellën e lëvizjes Black Lives Matter, kishin organizuar tubime dhe marshime nga mesdita deri në mbrëmje në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara.

Protestuesit thërrisnin “No Justice, No peace”, “Pa drejtësi, nuk ka paqe” dhe hidhnin parrulla të tjera, të gjitha me temën e protestës ndaj trajtimit të ashpër të afrikano-amerikanëve nga policia dhe diskriminimit të tyre.

Automjete ushtarake dhe oficerë me uniforma bllokuan pothuajse të gjithë trafikun në qendër të Uashingtonit, para marshimeve të planifikuara Autoritetet kishin parashikuar se pjesëmarrja e përgjithshme do të arrinte në 200 mijë vetë, por ky numër mund të ishte edhe më i madh në një protestë që autoritetet e policisë kishin parashikuar të ishte ndër më masivet në Uashington dhe që ishte më masivja që pas vdekjes së George Floydit.

Protesta në shumë qytete amerikane kanë vazhduar për rreth dy javë që nga vdekja më 25 maj e afrikano-amerikanit Floyd, pasi një polic i bardhë mbajti gjurin në qafën e tij për mbi tetë minuta. Ngjarja shënon shumë prej atyre rasteve kur anëtarë të komunitetit afrikano-amerikan kanë humbur jetën gjatë ose pas ndërveprimesh me policinë.

Grumbullimet në Uashington dhe qytete të tjera ishin përgjithësisht paqësore, ndryshe nga një javë më parë kur ato u shoqëruan nga veprime të dhunshme, plaçkitje dhe përplasje të protestuesve me policinë. Edhe në Britani nuk i kanë rezistuar protestave kundër racizmit, të cilat nisën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas vdekjes së George Floyd.

Protestat janë zhvilluar në Bristol, Manchester, Nottingham, Edinburgh dhe Londër, ku “Daily Mail” shkruan se një oficere policie ka mbetur e plagosur në gjendje të rëndë pasi u rrëzua nga kali në tentativë për të shpërndarë protestuesit, ndërsa të lënduar mbetën edhe 13 oficerë të tjerë policie.

Drejtuesit e policisë u shprehën se qytetarët kanë të drejtë të ngrenë zërin kundër racizmit, por duhet të gjejnë një tjetër mënyrë për të kërkuar të drejtat e tyre, duke qëndruar larg dhunës.

EMISIONET