Ndërkallje e "360gradë" - Analiza e DW/ Çfarë po ndodh me reformën në drejtësi në Shqipëri

Ndërkallje e "360gradë" - Analiza e DW/ Çfarë po

Përtej sulmeve të institucionit të Presidencës ndaj atij të Kryeministrisë dhe anasjelltas, që kanë karakterizuar mjedisin politik, pas braktisjes së Parlamentit nga opozita, në shkurt 2019, reforma në drejtësi ndodhet përballë pritshmërive të qytetarëve të Shqipërisë për të filluar shkuljen me rrënjë të korrupsionit në nivelet e larta të politikës dhe zyrtarëve publikë, shkruan ne një analize të sajën DW.

A po fiton reforma besimin e qytetarëve? 90 gjykatës dhe prokurorë të dalë jashtë sistemit të drejtësisë nga vettingu, kryesisht për korrupsion, janë rezultati më spektakolar i reformës në drejtësi. Në sitën e vettingut janë ende për të kaluar edhe rreth 700 gjyqtarë dhe prokurorë. Vettingu nuk ka përfunduar, institucionet e reja nuk janë ngritur të gjitha, vendi vazhdon të jetë pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë.

Megjithatë Komisioni Europian, (KE) e ka vlerësuar reformën në drejtësi të suksesshme dhe një model që mund të ndiqet edhe nga vende të tjera të rajonit. Pritshmëritë dhe besimi i qytetarëve janë përtej këtij vlerësimi. Ata presin që drejtësia e re të ndëshkojë “të pandëshkueshmit”, ish-politikanë dhe zyrtarë të lartë publikë apo aktualë të përfolur për korrupsion që dëshmojnë të bëjnë një jetë luksoze, të papërligjur me të ardhurat e deklaruara.

Deri tani asnjë prej “të pandëshkueshmëve të fuqishëm” nuk është përballur me drejtësinë qoftë për t’u dënuar, qoftë për të dalë i pafajshëm. Pak ditë më parë, ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, theksoi se “vettingu duhet të vazhdojë” duke lënë të kuptohet se reforma në drejtësi është në rrugën e duhur.

Por një vit më parë, në maj 2019 presidenti Meta, e quajti reformën në drejtësi “selektive dhe që ka nevojë të rishikohet” dhe kërkoi ndihmën e Asamblesë së OSBE-së, duke përjashtuar BE dhe SHBA. Meta e quajti reformën të dështuar përderisa vendi nuk ka Gjykatë Kushtetuese, (GJK) si pasojë e vettingut dhe mungesës së një mase gjykatësish që plotësojnë kriteret për të qënë anëtarë të trupës së re të GJK.

Genoveva Ruiz Calavera, Drejtore për Ballkanin Perëndimor në KE dhe Shefe e Operacionit Nërkombëtar të Monitorimit (ONM) për reformën e drejtësisë në Shqipëri, reagoi ashpër. ”Vettingu po shkon në drejtimin e duhur”. Disa njerëz mund të kenë frikë nga reforma gjyqësore dhe të jenë të gatshëm ta pengojnë atë, por kjo nuk mund të lejohet ” shkroi në majin 2019, në median sociale Genovea Ruiz Calavera.

Një vit më pas, GJK vazhdon të jetë jo funksionale dhe objekt përplasjesh mes Presidencës dhe Kryeministrisë. Analistët e pavarur në Tiranë mendojnë se të dyja palët kërkojnë që të kenë kontroll në përbërjen e trupës së GJK. Meta për të mos u shkarkuar si president nga maxhoranca socialiste, që e akuzon atë për shkelje të Kushtetutës me anulimin e datës së zgjedhjeve lokale 2019 dhe kryeministri Rama që ky vendim të merret.

Pas reagimit të KE ideja e ndryshimeve në reformën e drejtësisë me asistencën e Asamblesë së OSBE mbeti në letër. Shembja e Teatrit Kombëtar, më 17 maj, pa marrë në konsideratë dërgimin nga Meta në Gjykatën Kushtetuese për të gjykuar në parim çështjen e shembjes ose jo të tij nga Bashkia e Tiranës, rinxori në skenë përsëri mosfunksionimin e Gjykatës Kushtetuese.

Presidenti Meta bëri publike një nismë të re për ndryshime në formulën e realizimit të reformës në drejtësi, pavarësisht që vendimi i Parlamentit më 2016 është që formula e saj “as nuk mund të rishikohet, as nuk mund të korrigjohet”.

Në një takim, në fundjavën e kaluar, me ambasadorët e vendeve të BE dhe më pas edhe me opozitën jashtë parlamentare presidenti Meta prezantoi një platformë me 14 pika, që ai ia kishte dërguar rreth një muaj e gjysmë më parë Ambasadores së SHBA, Yuri Kim, me qëllim gjithëpërfshirjen në realizimin e reformës në drejtësi dhe asaj zgjedhore, kushte prioritare për negociatat e anëtarësimit.

Platforma , mes të tjerash, ofron ngritjen e një Këshilli Politik që do të bëjë cdo ndryshim ligjor ose kushtetues lidhur me reformën gjyqësore vetëm përmes konsensusit unanim të anëtarëve të tij”. Me fjalë të tjera, këtij Këshill i jepet mandati të bëjë amendime në reformën në drejtësi para se ato t’i kalojnë për miratim parlamentit.

Përmes këtij këshilli, opozita jashtë parlamentare futet në sistemin politik, pas 15 muajsh bojkoti të parlamentit dhe mos pjesëmarrjeje në Lokalet 2019. BE dhe SHBA reaguan kundër, duke theksuar se reforma nuk preket. Ambasadorja amerikane shkoi më tej kur shkroi në median sociale “për marrëveshje prapa krahëve për të vrarë reformën në drejtësi në Shqipëri”.

Sipas Metës ambasadorja Yuri Kim nuk e ka fjalën për atë. Në programin e kanalit televiziv Klan, të hënën e 25 Majit, ai i drejtoi gishtin kryeministrit Rama dhe e akuzoi se i shërben lobit serb në Uashington duke nxitur destabilitet dhe trazira .

Reagimet e forta kundërshtuese të SHBA për ngritjen e Këshillit Politik për të ndryshuar formulën e reformës në drejtësi lënë të kuptohet se vështirë që ai mund të ngrihet dhe të funksionojë. Në këtë klimë mosmarrëveshjesh, supozimesh absurde, dokumentesh prove në pritje për t’u publikuar qytetarët kërkojnë një drejtësi të pavarur nga politika, që të veprojë dhe të kontribuojë me forcën e ligjit në ndarjen e shapit nga sheqeri.

EMISIONET