“Paqja dhe siguria vjen nga familja”. Ky ishte mesazhi që ish-presidenti Alfred Moisiu dha në përshëndetje të “Festivalit të bekimit të familje”.

Ai apeloi për më shumë ndërgjegjësim të klasës politike ndaj vendit dhe familjeve shqiptare.

Alfred Moisiu: "Do të dëshiroja që politikanët tanë të jenë të sinqertë, të mendojnë më shumë për shqiptarin e thjeshtë që sesa për karriget e tyre, të punojnë fort për të kapërcyer dhe për të ndihmuar në kapërcimin e vështirësive në Ballkan dhe në vendin tonë."

Për kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi problem  është largimi i të rinjve nga vendi për shkak të shpresës së munguar nga politika.

Monika Kryemadhi: “Politika ende nuk po i jep shpresë. Sot kemi me mijëra fëmijë shqiptarë, që prindërit e tyre, të detyruar nga varfëria, papunësia, pamundësia ekonomike detyrohen të “braktisin” fëmijët në rrugët e qyteteve evropiane, me shpresën që të gjejnë një strehë dhe shkollim nga ligji evropian për përkujdesjen e minorenëve të braktisur.”

Kryemadhi theksoi se politikat e ndërmarra nga qeveria nuk po e ndihmojnë aspak  familjen shqiptare, e cila po kalon një krizë të thellë ekonomike. Pavarësisht kësaj, Kryemadhi theksoi se vlerat që ruan familja do të na çojnë më afër Bashkimit Europian.

/Ora News.tv/