Pavarësisht se ka përplasje mes palëve për votimin e draftit të reformës zgjedhore, ku opozita parlamentare duket e vendosur për mosvotimin e saj, Presidenti Ilir Meta vendosi dhe njëherë theksin tek rëndësia e kësaj reforme.

Në një deklaratë për mediat, Meta u shpreh se miratimi i kësaj zgjedhores është hapi më i rëndësishëm për çeljen e negociatave e cila do t'i hapte rrugë edhe plotësimit të kushteve të tjera.

Meta: Dua të theksoj edhe njëherë tjetër rëndësinë të ruajtjes së prioritetit të plotësimit të kushteve për çeljen e negociatave ku padyshim që miratimi i reformës zgjedhore është kushti i parë formal e më pas të vijohet me kushte të tjera që nuk janë vetëm formale por janë përmbajtësore që kanë të bëjnë dhe me cilësinë e zgjedhjeve të ardhshme në Shqipëri.

Por vetëm pak më herët gjatë ditës së sotme (6 korrik), deputeti Myslym Murrizi në një deklaratë më mediat dukej më se i vendosur në qëndrimin e tij për mosvotimin e reformës pa u diskutuar më parë kërkesat e opozitës parlamentare.

Ai thotë se deputetët e opozitës parlamentare si dhe deputetë të tjerë të pavarur nuk do të jenë thjeshtë fasadë në Parlament dhe se në ditët në vijim do të marrin një vendim konkret ku do të përmbledhin qëndrimin e tyre.

/Ora News.tv/