Meta padit në SPAK ministren Gjonaj: U përfshi në kapjen e "Kushtetueses" të japë dorëheqjen

Meta padit në SPAK ministren Gjonaj: U përfshi në kapjen e

Pas paralajmërimit se do të denonconte të tjerë persona të përfshirë nga mazhoranca për grushtin e shtetit, presidenti Ilir Meta ka njoftuar së në SPAK do të çohet një padi ndaj Ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj. Kreu i Shtetit kërkoi dhe dorëheqjen e saj, pasi e akuzon për përfshirje në atë që e quan tentativë për kapjen e Gjykatës Kushtetuese.

Pas publikimit të fakteve të një ditë më parë, Presidenti i Republikës, Ilir Meta hedh akuza mbi ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, që sipas kreut të shtetit është e përfshirë drejtpërdrejtë në kapjen e Gjykatës Kushtetuese.

Meta tha se do të dorëzojë kallëzimin në SPAK për Gjonajn, duke i kërkuar asaj të dorëhiqet për ti përballur me drejtësinë si ish-ministre.

"Në këtë tentativë flagrante për grusht shteti bazuar mbi provat e bërë publike ditën e djeshme që do ti dorëzohen SPAK rezulton të jetë përfshirë drejtpërdrejt ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj, por edhe funksionarë të lartë të këtij institucioni në varësi të saj për llogari të skenarit mafioz të kapjes së Gjykatës Kushtetuese duke përvetësuar  në mënyrë mafioze një kompetenca që Kushtetua ia jep Presidentit", tha Meta.

Botimi i vendimeve të KED, antikushtetues-Ministrja e Drejtësisë duke urdhëruar sekretarin e përgjithshëm të dërgonte për botim në fletoren zyrtare një vendim të KED ka shkelur në mënyrë flagrante ligjin, për organizimin dhe funksionimin e qendrës së botimeve zyrtare si dhe ligjin për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë. Sipas kushtetutës dhe këtyre ligjeve, vendimet e KED nuk botohen as në fletoren zyrtare, por publikohen në faqen e internetit të Gjykatës së Lartë  në  pjesën e dedikuar për KED. Ndërkohë që ministrja e Drejtësisë nuk ka asnjë rol dhe asnjë të drejtë që të dërgojë për botim aktet e KED, apo të ndërhyjë në procesin e emërimit apo zgjedhjes së gjyqtarëve kushtetues duke arritur deri në veprime flagrante deri në urdhërimin e botimit, pa iu kërkuar zyrtarisht nga askush.

Ka shpërdoruar detyrën, të hënë kallëzimi në SPAK-Ministrja e Drejtësisë, e cila përmes shpërdorimit të detyrës, falsifikimeve dhe ndërhyrjeve të pa ligjshme në proces ka konsumuar në bashkëpunim me zyrtarë të lartë të këtij institucioni disa vepra penale. Për këto arsye dhe prova të tjera që po sigurohen, brenda ditës së hënë do të depozitoj pranë SPAK kallëzimin penal për ministren në detyrë të Drejtësisë, Etilda Gjonaj, por jo vetëm.

Të japë dorëheqjen-Duke qenë se ministrja Etilda Gjonaj, tashmë e ka humbur tërësisht besimin e Presidentit, të shprehur me dekret për emërimin e saj, do të mirëprisja brenda ditës së hënë dorëheqjen e saj dhe përballjen me drejtësinë, thjesht si ish-ministre, duke evituar detyrimin, apo precedentin që Presidenti të padisë një ministre që ushtron këtë detyrë.  

Kallëzimi nga Presidenti, Gjonaj e quan marrëzi por nuk shpjegon nëse urdhri është i ligjshëm apo jo

I menjëhershëm ishte reagimi i Ministres Gjonaj, e cila shkruajti se Kreu i Shtetit ka në dorë vetëm shkarkimin e tij.

Gjonaj:  E përshëndes Presidentin që pas disa shfaqjesh publike pa ekuilibër etik, ka zgjedhur t’i drejtohet SPAK me një kallzim penal për mua; një marrëzi e radhës po të paktën në rrugë institucionale, madje drejt një institucioni të dalë nga Reforma që ai lufton pa fre!

Jam e gatshme t’i përgjigjem ligjërisht, me të gjithë përgjegjësinë po edhe me krenarinë që i përkas Frontit të Reformës në Drejtësi, denigruesit  botërisht të njohur të kësaj reforme jetike! Sa për dorëheqjen zotëria ka në dorë vetëm të tijën dhe të askujt tjetër.

Megjithatë ne reagimin e saj nuk jepen shpjegime nëse urdhri nga ana e ministrisë që ajo drejton për botimin e vendimit të KED-së është apo jo në përputhje me ligjin.

PD i bashkohet Metës, Bardhi: Etilda Gjonaj të japë llogari te SPAK

Në debat u përfshi dhe Partia Demokratike, ku Sekretari i Përgjithshëm Gazmend Bardhi, u shpreh se Ministrja duhet të japë llogari për shkeljen e ligjit dhe të Kushtetutës.

Tanimë SPAK, sipas Bardhit, ka një detyrë tejet të rëndësishme, atë të gjykimit të krimit kushtetues.


EMISIONET