Meta tjetër "shuplakë" për Ramën, kthen dhe ligjin e tatimit mbi të ardhurat

Meta tjetër "shuplakë" për Ramën, kthen dhe ligjin

Vetëm katër ditë pasi ktheu per shqyrtim ne Kuvend ligjin për Teatrin Kombëtar,  Presidenti Ilir Meta kthen për shqyrtim në Kuvend nje tjeter ligj te miratuar nga mazhoranca. 

Kreu i Shtetit ka vendosur kthimin në Kuvend të ligjit nr.39/2018, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat” i ndryshuar, me qëllim rishikimin e nenit 6 të këtij ligji, bazuar në dy argumenta.

Presidenti vlerëson se ndryshimet e realizuara në nenin 6, të ligjit nr. 39/2018, janë të pa argumentuara dhe nga vlerësimi i tyre rezulton se, zbatimi i këtij neni do të sjell uljen e barrës fiskale dhe përfitim financiar vetëm në favor të bizneseve që operojnë në fushën e lojrave të fatit, ndërkohë që ky nen nuk është në interes të publikut, si dhe efektet e pritshme në buxhetin e shtetit apo në ekonominë familjare janë negative.

Së dyti, kreu i Shtetit thotë se miratimi i nenit 6 të ligjit nr. 39/2018, është në kundërshtim me përmbushjen e objektivave social të shtetit shqiptar parashikuar në nenin 59 të Kushtetutës, bie ndesh me frymën e legjislacionit në fuqi në funksion të dekurajimit të aktivitetit të biznesit në industrinë e lojrave të fatit, si dhe krijon premisë për shtimin e fenomeneve negative që cënojnë familjen shqiptare.

Institucioni i Presidentit të Republikës, ka vlerësuar se aplikimi i barrës së lehtësuar fiskale ndaj operatorëve në fushën e lojrave të fatit, nuk është vlerësuar në mënyrë të thelluar nga qeveria dhe Kuvendi, përkundrejt dramave sociale dhe konflikteve në familje që janë shkaktuar në vijimësi nga pjesëmarrja në lojrat e fatit.

Argumentat e shtjelluara mbi kthimin për rishqyrtim të nenit 6, të ligjit nr. 39/2018 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat” i ndryshuar, mund t’i gjeni në faqen zyrtare të institucionit të Presidentit të Republikës – http://president.al/presidenti-meta-dekreton-kthimin-per-rishqyrtim-ne-kuvend-te-ligjit-nr-39-2018-arsyet-e-kthimit-te-ligjit/

Gjithashtu, Institucioni i Presidentit të Republikës bën me dije se, Presidenti i Republikës në ushtrim të detyrave të Tij, në mbështetje të nenit 84 pika 1 e Kushtetutës, ka dekretuar shpalljen e ligjeve të tjera të miratuara nga Kuvendi, dhe konkretisht :

– Dekret nr. 10842 datë 26.07.2018 për shpalljen e ligjit nr. 38/2018 “Për ratifikimin e korrigjimit të marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për huan e politikës së zhvillimit të sektorit financiar”.

– Dekret nr. 10843, datë 26.07.2018, për shpalljen e ligjit nr. 40/2018 “Për një shtesë në ligjin nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.

– Dekret me nr. 10844, datë 26.07.2018, për shpalljen e ligjit nr. 41/2018 “Për një shtesë në ligjin nr.9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar”.

 – Dekret nr. 10845, datë 26.07.2018, për shpalljen e ligjit nr. 42/2018 “Për ratifikimin e memorandumit të qëllimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për instalimin dhe përdorimin e Sistemit për Krahasimin dhe Vlerësimin e Sigurt të Identifikimit Personal (PISCES)”.

– Dekret me nr. 10846, datë 26.07.2018, për shpalljen e ligjit nr. 43/2018 “Për ratifikimin e protokollit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës për zbatimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komunitetit Evropian për ripranimin e personave me qëndrim të paautorizuar”.

– Dekret me nr. 10847, datë 26.07.2018, për shpalljen e ligjit nr. nr. 44/2018 “Për ratifikimin e marrëveshjes me vendin pritës ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit të Ballkanit Perëndimor”.

– Dekret me nr. 10848, datë 26.07.2018, për shpalljen e ligjit nr. nr. 45/2018 “Për ratifikimin e marrëveshjes së ndryshimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave, dhe Trans Adriatic Pipeline AG, lidhur me marrëveshjen me qeverinë e vendit pritës”.

EMISIONET