Mesi: Rënie ekonomike mbi 5%, qeveria të marrë kredi ose të vijojë investimet

Mesi: Rënie ekonomike mbi 5%, qeveria të marrë kredi ose të

Edhe pse aktiviteti ekonomik në Shqipëri duket sikur i është kthyer normalitetit, situata mbetet e vështirë.

Gjatë periudhës së izolimit, rritja ekonomike ka pësuar tkurrje me 2 përqind. Deputetja e PS njëkohësisht dhe ekonomiste, Senida Mesi u shpreh se tkurrja ekonomike do të shkojë të paktën 5 përqind.

E ftuar në RTV Ora, ajo shprehet se nuk do të ketë një paketë të tretë financiare për bizneset por bëhet fjalë për një plan afatgjatë të rimëkëmbjes, por nuk dha detaje të tjera se kur do të miratohet.

Mesi: Parashikimi për rritjen ekonomike në një situatë jo pandemike ishte një rritje prej 2.5 përqind. Sot kemi një tkurrje të rritjes ekonomike mbi 2 përqind. Parashikimi është që do të kemi një reçesion prej 5 përqind. Sepse i duhet kohë ekonomisë pas një bllokimi total. E më pas të bëhet parashikimi i rritjes. Ndërkohë që parashikimi, bashkë me Ministrinë e Financave dhe FMN janë për vitin 2021 të shkojë në një rritje ekonomike prej  mbi 8.8 përqind. Duket një rritje konstante duke marrë parasysh dy godtijet nga tërmeti e më pas bllokimi prej 3 muajsh nga pandemia. 

Tashmë ekonomia na duket sikur ka filluar normalitetin, por nuk është e tillë. Na kanë ndërruar dhe zgjedhjet tona si konsumatorë. Pavarësisht dëshirës tonë të madhe për tu rikthyer në normalitet, duhet të bëjmë shumë kujdes. Nga burimet tona pranë Ministrisë së Financave, nuk bëhet fjalë për një paketë të tretë por për një plan afatgjatë për të rimëkëmbur ekonominë. Ju çdo ditë shihni që projektet mallore vijojnë. 

Dy tërmetet e fuqishme si dhe izolimi për shkak të pandemisë kanë lënë një njollë në ekonominë e Shqipërisë. Kjo e fundit ka marrë kredi e grante nga ndërkombëtarët për të amortizuar sadopak impaktin në ekonomi, por niveli i borxhit rritet.

Deputetja Senida Mesi nuk e përjashtoi mundësinë e marrjes së një kredie tjetër. Ajo shprehet se ka dy mundësi, ose të vijojnë investimet ose të merret kredia.

Mesi: Ka ardhur një moment që edhe për një ekonomi të vogël familjare, një çift bashkëshortësh kanë dy paga dhe kanë shpenzime fikse dhe humbet një rrogë, është një moment që edhe një ekonomi e vogël familjare duhet të marrin vendime që çfarë shpenzimesh duhet të ndërpresin për të kaluar situatën. Ose do vijojnë sërish me këto investime për të rikuperuar një rrogë të humbur. Duke marrë një kredi. Edhe qeveria duhet të marrin një vendim, të vijojnë investimet apo të marrin një kredi.

Intervista në studio me gazetarin Xhoi Malësia, përgatiti në online Endi Mullaj

EMISIONET