Mesazhi tjetër i SHBA-së: S'duhet të çorientohemi, reforma në drejtësi duhet të ecë përpara

Pak ditë pasi ambasadorja Yuri Kim foli për një marrëveshje të fshehtë kundër reformës në drejtësi, ambasada e SHBA thekson qëndrimin se reforma në drejtësi në Shqipëri duhet të ecë përpara. Qëndrimi i përsëritur vjen në një kohë kur tensionet politike në vend janë shtuar.

“Reforma është e dhimbshme, e ngadaltë dhe e papërsosur por është e nevojshme. Reforma në drejtësi po ecën përpara dhe duhet të vazhdojë, në mënyrë që Shqipëria të bëhet anëtare e plotë e familjes europiane. E gjithë Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të vijojë të mbështesë synimin e popullit shqiptar.''

Ambasada kujton se kjo reformë është kërkesë e popullit shqiptar e në përgjigje të tij, në vitin 2016, Parlamenti miratoi unanimisht ligjet themelore për reformën. Ndaj ka edhe një porosi nga zbatuesit e saj.

“Ne nuk duhet të humbasim përqëndrimin, ne nuk duhet të çorientohemi, synimi është i qartë, populli shqiptar foli dhe reforma në drejtësi duhet të ecë përpara, hap pas hapi”.

Deklarata e fundit e ambasadores Kim për një pakt të fshehtë për të zhbërë reformën solli trazira brenda rradhëve të politikës, por asnjëra palë nuk pranoi të kishte gisht në këtë marrëveshje. I pari që hodhi idenë për ndryshime në këtë reformë ishte deputeti socialist Adnor Shameti, por nuk dihet nëse kjo nismë do të zyrtarizohet.

EMISIONET