Shpenzimet në merkato nuk kanë sjellë produktin e pritshëm te Milani.
Kuqezinjtë janë një ndër ekipet që ka shpenzuar më shumë për të ofruar futbollistë, por në fund, rezultatet kanë lënë shumë për të dëshiruar.
Diçka të tillë e zbulon gazeta italiane "Gazzetta dello Sport", që nga përllogaritjet e 30 muajve të fundit rezulton se gjiganti italian ka shpenzuar 467 milionë euro. Gjithçka e hedhur në treg për lojtarë, trajnerë, administratorë dhe drejtorë sportivë, por në fund situata dihet.
Shtatë herë kampionët e Europës nuk kualifikohen në Champions League që prej sezonit 2013-2014, ndërkohë që hera e fundit në Kupat e Europës rezulton sezonin e shkuar.
Megjithatë, Milani nuk mundi të kalojë as grupet e Europa League, ku si kundërshtarë kishte skuadra si Dudelange, Olympiacos dhe Real Betis.
/Ora News.tv/