Mbolli fidanë kanabisi në tokën e Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit, arrestohet fieraku

Mbolli fidanë kanabisi në tokën e Drejtorisë së Ujitjes

Policia e Fierit ka goditur një tjetër tentativë për kultivim të bimëve narkotike. Në pranga ka rënë një person, ndërsa është proceduar penalisht kryeplaku i fshatit dhe inxhinieri i Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit Fier.

"Në tokën në administrim të Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit Fier, u gjetën dhe u sekuestruan fidanë të dyshuar narkotikë canabis sativa. Në vijim të veprimeve hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit J. G., 35 vjeç, banues në Dërmënas si autorë i dyshuar i mbjelljes së fidanëve. Gjithashtu u procedua penalisht për moskallëzim krimi, kryeplaku i fshati Grykë, shtetasi T. Ç., 58 vjeç, si edhe u procedua për shpërdorim detyre  inxhinieri i Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit Fier, shtetasi E. K., 37 vjeç, banues në Fier" njoftoi policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale "Kultivimi i bimëve narkotike",  "Moskallëzim krimi" dhe "Shpërdorim detyre".

Ndërkohë në Himarë u arrestua  S. Sh., 29 vjeç, banues në Himarë, Vlorë. Nga kontrolli i ushtruar në automjetin me të cilin ky shtetas udhëtonte, Ford Focus, u gjetën dhe u sekuestruan 14 doza lëndë narkotike të dyshuara si cannabis sattiva (25 gramë).

Një rast i veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje u godit dhe në Pogradec. Policia arrestoi një 30-vjeçar, ndërsa u sekuestruan drogë, armë e ftohtë, municion luftarak, radio policie dhe sende të tjera si të policisë.

"Pas informacioneve të siguruara në rrugë policore se një shtetas posedonte lëndë narkotike dhe armë të ftohta organizuan veprimet dhe bënë të mundur lokalizimin dhe ndalimin e tij në lagjen nr. 1 në Pogradec.Gjatë kontrollit trupor të ushtruar shtetasit M. Y., 30 vjeç, banues në Pogradec. iu gjetën 4 doza me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, si edhe më tej gjatë kontrollit të banesës së tij iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 thikë, 2 copë fishekë armë zjarri tip pistoletë, një radio marrëse-dhënëse, një shkop gome, një detektor që shërben për kontroll fizik personash dhe 1 palë pranga".

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

EMISIONET