Shumica parlamentare në Kuvendin e Maqedonisë pas tri ditësh debate, votoi dy draft-amendamentet e mbetura për ndryshimet Kushtetuese, që rrjedhin nga marrëveshja e Prespës. Draft-amendamenti që parashikon mos cënimin e kufijve të shteteve fqinje kaloi me 64 vota pro, kurse ai për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe historike, si dhe kujdesin ndaj shtetasve që jetojnë jashtë vendit, mori 66 vota. 

Opozita, e pranishme në seancë, shprehu mos dakortësi për draft-amendamentet dhe votoi “kundër”.

Pas votimit në Kuvend tashmë qeveria pritet të organizojë debatin publik për tri ditë, dhe më pas ka dy ditë kohë për të përgatitur raportin që do t’i dorëzojë Kuvendit. Përfaqësues të qeverisë janë shprehur të hapur për sugjerime dhe kërkojnë nga të gjithë deputetët të përfshihen në debat.

Debati pritet të nisë nesër.

Më herët në nisje të debatit për draft amendamentet, Kryeministri Zoran Zaev theksoi se mbetet i hapur për një proces gjithëpërfshirës, duke shtuar se draft-amendamentet janë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe interesat e Maqedonisë sa i përket perspektivës së integrimit. Kreu i qeverisë përsëriti se amendamentet do të jenë përfshira në Kushtetutë vetëm nëse Greqia e voton marrëveshjen dhe jep mbështetje për Protokollin e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO.

Pas mbërritjes së raportit në Kuvend, Kryetari Talat Xhaferi është i detyruar që në afat prej 30 ditësh të caktojë seancë për votimin përfundimtar të amendamenteve, për të cilat nevojitet shumica prej dy të tretave e votave të deputetëve. Me këtë fazë përfundon edhe procedura e ndryshimeve kushtetuese që dalin nga marrëveshja e Prespës.

/Ora News.tv/