Lorenc Trashi pranë largimit? Ky postim "çmend" Partizanin

Lorenc Trashi kërkon një eksperiencë të re në karrierën e tij. Pasi fitoi kampionatin me Partizanin, mbrojtësi i krahut të majtë joshet nga idea për të provuar veten në një kampionat më të fortë dhe ofertat nuk kanë munguar.

Megjithatë drejtuesit e klubit të kuqtë kërkojnë një shifër të majme, që si duket, klubet që kanë shfaqur interes për të nuk janë të gatshme ta paguajnë. Një situatë që ka irrituar Trashin, që ka shfrytëzuar rrjetin e tij "Instagram" për të reaguar.

"Duro edhe një vit dhe prano çdo vendim"-shkruan futbollisti i kombëtares shqiptare, të cilit i përfundon kontrata me të kuqtë në fundin e sezonit të ardhshëm.

Trashi është pjesë e Partizanit prej vitit 2014 dhe në këto 5 vite ka qënë një futbollist kyç për të kuqtë. Gjatë sezonit të fundit, ku Partizani u shpall edhe kampion, Trashi grumbulloi 37 takime, duke shënuar një gol dhe dhuruar 4 asiste. Kampionët e Bullgarisë, Ludogoretsk duket se e kishte vënë në rreth të kuq gramshiotin.

 Gjithashtu për 27 vjeçarin ka pasur sinjale dashurie edhe nga kampionati turk. Trashi është një prej futbollistëve më të mirëpaguar te Partizani, por tani ai mendon se ka ardhur momenti për një aventurë të re.

Dhe nëse kjo nuk do të bëhej këtë sezon, Trashi do të largohej me parametra zero në sezonin e ardhshëm. Kjo do të ishte një humbje e madhe për Partizanin, që ka treguar se nuk di të fitojë nga futbollistët e vetë. Rasti i fundit është ai me Sadiq Atanda, i cili u transferua në Izrael me kosto zero.

EMISIONET