Pas një takimi të rëndësishëm të nivelit të lartë të Ministrave të Ballkanit Perëndimor dhe të përfaqësuesve të shumë institucioneve evropiane, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka postuar në facebook-un e tij një prononcim për mediat.

Gjatë fjalë së tij Lleshaj tha se në takim foli për hapat që po bën policia shqiptare në lidhje më këtë çështje.

Sandër Lleshaj: Është një koincidencë e bukur pjesëmarrja në këtë takim të sotëm, për arsye të miratimit po sot nga Qeveria Shqiptare, të paketës së gjerë të masave kundër krimit të organizuar. 

Sigurisht në Berlin diskutuam specifikisht vetëm për kontrollin e armëve në Ballkanin Perëndimor. Në fjalën time u përqendrova tek puna që bëhet në Shqipëri, për këtë çështje. Kemi marrë masa të rëndësishme si Qeveri për ta thelluar luftën e për ta fuqizuar kontrollin në fushën e armëve, e kryesisht të armëmbajtjes pa leje.

Po ashtu, Lleshaj theksoi se në 2020-n ka plane për forcimin e rregullave kundrejt atyre që mbajnë armë pa leje. Sipas tij, policia është e përgatitur për të filluar një fushatë për targetimin e personave që mbajnë armë pa leje, si dhe kundrejt atyre që kanë grumbulluar pasuri dhe asete kriminale.

Sandër Lleshaj: Nga ana tjetër po seriozisht kemi plan të merremi në vitin 2020, me forcimin e rregullave për ata që kërkojnë të mbajnë armë me leje. Ne synojmë ta shtrëngojmë shumë hapësirën, ta kufizojmë shumë atë, edhe për ata që kërkojnë të mbajnë armë me leje duke e bërë procesin me të komplikuar, më të vështirë, më të shtrenjtë, në funksion të qëndrimit, për ta ulur në maksimum praninë e armëve, qofshin me leje qofshin pa leje në hapësirën tonë publike. 

Menjëherë mbas miratimit të kësaj pakete, Policia e Shtetit është e përgatitur për të filluar një fushatë të rëndësishme për të targetuar të gjitha rastet e personave, të cilët kanë grumbulluar pasuri në bazë të aktivitetit kriminal dhe për këtë qëllim duke filluar nga ditët në vijim për të mos thënë orët në vijim, Policia e Shtetit do të angazhohet në një operacion të gjerë, 'Operacioni Forca e Ligjit', i cili synon pikërisht të vërë para përgjegjësisë cilindo, që përmes veprimtarisë kriminale ka grumbulluar pasuri dhe asete kriminale.


Takimi ku ishte i pranishëm edhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj u zhvillua në Berlin, Gjermani dhe kishte në fokus paketën e masave kundër krimit të organizuar dhe kundër armëve të vogla e të lehta

/Ora News.tv/