Dogana e Kosovës në Durrës, shtyhet takimi në Shkodër mes dy qeverive

Dogana e Kosovës në Durrës, shtyhet takimi në Shkodër

Një muaj pasi mori detyrën si kryeministër në Kosovë, Avdullah Hoti, zhvilloi vizitën e parë zyrtare në kryeqytetin shqiptar. 

Rama për Vuçiç - Nuk negocion dot në perëndim për shqiptarët, mos prisni keqardhje nga ai

Rama: Nëse ne jemi një, presidenti i Serbisë mund të shkojë edhe në Hënë por në fund do të ulet me ne, autoritetet e shtetit sovran të Kosovës, që e njeh apo nuk e njeh ai, është sovran dhe i paprekshëm në sovranitetin e vet dhe me ne në Tiranë që do të mbështesim deri në fund, Prishtinën. Por, përballë deklaratave të tilla provokuese ka dy rrugë, njëra barrikadimi, tjetra përballimi. Barrikadimi është në dëmin tonë, jo në dëm të Serbisë. Përballimi sy më sy dhe drejt për drejt me mjetet e paqes, është sfida jonë, fiton kush është më i mençur dhe të tregojë forcën e mendjen dhe të largpamësisë. Nuk fiton kush bën të fortin me Facebook apo deklarata përçarëse duke shfrytëzuar emocione apo konjuktura të brendshme që po shpëton atdheun nga tradhtarët.

Dialogu Serbi-Kosovë - Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në konferencë me kryeministrin Rama tha foli edhe për dialogun me Serbinë dhe sthoi se do të ulet shumë shpejt së bashku në një takim me Richard Grenell.

Kosova ka institucione legjitime, kushtetuese të gatshme, që të marrin përgjegjësitë që i takojnë, jam në koordinim me ambasadorin Grenell. Do të ulemi shumë shpejt së bashku në një takim, për çështje politike të dialogut. Ne hyjmë për njohje reciproke dhe normalizimin të marrëdhënieve mes dy vendeve.”

Projektet me Shqipërinë - Hoti, po ashtu u shpreh se janë tri projekte që po diskutohen me Shqipërinë.

“Janë tre projekte konkrete që ne kemi diskutuar, e para që ka të bëjë me krijimin e një pike Doganore në Durrës për mallrat e Kosovës. Ndërtimi i një hidrocentrali në territorin e Shqipërisë për të furnizuar Kosovën me energji dhe projekti madhor i lidhjes së dy vendeve tona me hekurudhë. Në vjeshtë të këtij viti besoj do të gjenden fondet për realizimin e këtij projekti. 

Liberalizimi i vizave - Rama tha se Shqipëria nuk merr vendime për Kosovën, por e mbështet. Ai tha se  është trup që BE mban peng një popull që ndalohet të lëvizë lirisht.

"Ne nuk marrim vendime Kosovën, ne nuk flasim në emër të Kosovës, por për Kosovën. Është një turp për BE-në që sot mban peng një popull, i vetmi i marrë peng në kontinentin tonë, që ndalohet të lëvizë lirisht. Si shtet i ka plotësuar të gjitha detyrimet që duhet të plotësojë çdo shtet para se të marrë liberalizimin e vizave. E dimë shumë mirë arsyen, nuk gjendet në Kosovë, apo ndonjë paaftësi të Kosovës për të përmbushur detyrimet, ato janë përmbushur dhe janë njohur nga vetë KE, arsyeja është në Evropë, në politikën e brendshme të BE-së, vendeve të ndryshme, që gjithmonë e më shumë kur marrin vendime për ne, nisen nga kalkulimet për qëndrueshmërinë elektorale të forcave qeverisëse, ky nuk është turp, turpi është që Kosova nuk lëviz e lirë."

Dogana e Kosovës në Durrës - Rama foli edhe një marrëveshje për një doganë të Kosovës në Durrës.

“Kemi diskutuar konkretisht do të vijojmë një bisedë konkrete për të gjithë elementët që lidhen me zbatueshmërinë sa më shpejt të disa marrëveshjeve kyçe, sot kemi folur për doganën e Kosovës në Durrës. Në parim është dakordësuar, por në zbatim ende nuk është e plotë, pasi ajo që Hoti ka ngritur në bisedë përbën thelbin e marrëveshjes, jo një stacion i parë, i pasuar nga një i dytë kontrolli në Morinë, por një i vetëm në Durrës, ku hyrja e mallrave për në Kosovë nga pikëpamja juridike duhet të trajtohet si hyrje në Kosovë kur mallrat zbarkohen në Durrës.”

Minishengeni - Kryeministri Rama tha se tashmë procesi i shengenit rajonal mbetet një program ku shqiptarët duhet të shohin interesat e tyre.

Rama: Në kushtet e nevojës për të përparuar më shpejt në procesin e kohezionit të lëvizjes së përditshme të mallrave dhe njerëzve, shengeni rajonal mbetet një program ku shqiptarët duhet të shohin interesin e tyre. Nëse futemi në këtë kornizë, nuk na pengon asgjë që shumë shpejt të hapim kufirin e njerëzve pa asnjë kontroll. 

Ministritë e Brendshme të dy vendeve janë në një proces për krijimin e të dhënëve në lidhje me perimetrin e sigurisë për hyrjen e daljen e gjithë njerëzve në pikat hyrëse dhe dalëse. Ne mbetemi në krah të Kosovës. Unë dhe qeveria e Shqipërisë, kemi dhe do të mbështesim në çdo moment Kosovën. 

Shtyhet për në shtator takimi në Shkodër

Mbledhja e qeverive - Po ashtu u njoftua shtyrja e mbledhjes së dy qeverive në Shkodër.

“Jemi dakordësuar për të përcaktuar nëj afat të ri për mbajtjen e mbledhjes së dy qeverive në Shkodër me shpresën që situata jo e lehtë lidhur me COVID të na mundësojë në gjysmën e dytë të shtatorit."

Aktakuza - Rama komentoi sërish edhe aktakuzën për Thaçin dhe Veselin, duke thënë se ishte një fletërrufe.

“Ajo fletërrufe duhet të përbëjë një motiv të fortë nxitës për të gjithë aktorët dhe faktorët politikë shqipfolës. Qofshin këta në Kosovë, Shqipëri, apo Maqedoni të Veriut për të qenë të njëzëshëm që drejtësia të jetë e drejtë dhe procesi gjyqësor i mundshëm si rezultat i angazhimit të Kuvendit të Kosovës në miratimin e një Gjykate Speciale për të zbardhur akuzat për krime lufte të mos deformohet në një padrejtësi ndaj Kosovës dhe Luftës Çlirimtare të Kosovës. Ky qëndrim nuk ka të bëjë me ndonjë përpjekje për të penguar politikisht një proces të drejtë ligjor. Por ka të bëjë me diskreditimin publik të këtij procesi përmes një shpallje mediatike të panjohur në sistemin e drejtësisë. Kam pa deklaratat e ndërkombëtare që ky është një hap pozitiv, por aty vetëm hap pozitiv nuk ka. Aty është një hap shumë shqetësues.”

EMISIONET