Letër për zotin Rama: Ju lutem ta konsideroni hedhjen e vështrimit nga Kina

Letër për zotin Rama: Ju lutem ta konsideroni hedhjen e

Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kinë, Hajdar Muneka i ka dërguar një letër kryeministrit Edi Rama, ku i kërkon atij të marrë në konsideratë ndihmën kineze.

Në letër, Muneka i thotë kryeministrit Rama se ambasadori kinez në Tiranë ka dhënë disa sinjale se  “miku i mirë njihet në ditë të vështira”, çfarë përkthehet lehtë se vendi i tij është i gatshëm të ndihmojë në arritjen e fitores së përbotshme ndaj kësaj epidemie të pamëshirshme.

LETER PËR ZOTIN EDI RAMA

Zoti kryeministër,

Vlerësoj sinqerisht punën tuaj për menaxhimin e situatës së krijuar në përballimin e fatkeqësisë mbarëbotërore të koronavirusit. E kuptoj se nuk e keni të lehtë, pasi, përveç punës operative, po harxhoni shumë energji në ndërgjegjësimin e njerëzve, çuditërisht të pabindur e të pavetëdijshëm për atë që po ndodh e që, më vonë, mund të jetë me pasoja fatale.

Falënderoj nga zemra gjithë armatën e madhe të punonjësve të shëndetësisë, të cilët, në këto ditë, ndoshta më të vështirat në historinë që ne mbajmë mend, në kushte mjaft të pafavorshme, po luftojnë me vetëmohim kundër një armiku vizualisht i padukshëm, por që ka skuqur hartën e gjithë globit, me një shtrirje se të dy luftërat botërore, të marra së bashku.

Kjo është arsyeja edhe që po ju shkruaj.

Si çdo luftë tjetër, edhe kjo e sotmja, kërkon armë. Mjekët tanë, sado nobelistë të jenë në dijet e tyre, e që koha po tregon se janë në nivele botërore, nuk do të mund ta fitojnë këtë betejë, nëse në duart e tyre nuk kanë armët e duhura. Vërehet lehtë se ky nuk është një problem vetëm shqiptar. Madje në këtë lak kanë rënë edhe popuj e vende disa herë më të mëdhenj e më të fuqishëm se sa ne.

I vetmi vend që deri tani ka provuar se kjo luftë mund të fitohet, është pikërisht ai ku edhe kjo flamë vdekjeprurëse u shfaq për herë të parë, Kina. Kinezët njihen për disiplinë shembullore. Por kjo nuk është gjithçka. Ata, përveç eksperiencës së akumuluar, në kohë rekord kanë krijuar edhe infrastrukturën e domosdoshme për ta mposhtur këtë armik.
Kjo, siç e theksoni me shumë të drejtë edhe ju, zoti kryeministër, është një luftë. Por, si çdo luftë tjetër, ajo nuk mund të fitohet pa aleatë. Historia ka treguar se armiku i përbashkët sjell aleatë të rinj dhe, jo domosdoshmërisht të gjithë aleatët në kohë paqe bashkohen në një front. Aleancat e Luftës së Dytë botërore e dëshmojnë këtë.

Ndaj, me të njëjtin zell që ju u përgjëroheni çdo ditë shqiptarëve për të mos dalë nga shtëpia, ju lutem ta konsideroni hedhjen e vështrimit nga Kina. Ambasadori kinez në Tiranë ka dhënë disa sinjale se vendi i tij e njeh parimin se “miku i mirë njihet në ditë të vështira”, çfarë përkthehet lehtë se vendi i tij është i gatshëm të ndihmojë në arritjen e fitores së përbotshme ndaj kësaj epidemie të pamëshirshme. Dhe dihet se, asnjë diplomat kinez, aq më tepër ambasadorët e atij vendi, nuk flasin kurrë pa pasur sigurinë e udhëheqjes së tyre! Është momenti të aplikojmë filozofinë kineze “nuk ka rëndësi nëse macja është e bardhë apo e zezë. Rëndësi ka që ajo ta kafshojë miun”. Urgjente për sot është të shpëtojmë sa më shumë jetë njerëzish, deri sa ta mundim përfundimisht koronavirusin.

Për ne shqiptarët, kinezët janë dy herë të provuar, së pari në betejën kundër këtij virusi dhe, së dyti, për qëndrimin ndaj nesh në ditët tona më të vështira. Natyrisht shumë ujëra kanë rrjedhur nga ajo kohë, por gjaku lëviz më ngadalë. Në dijeninë time, kinezët asnjëherë nuk e kanë shkelmuar dashamirësinë ndaj nesh.

Kur dielli të ketë dalë përsëri e njerëzit t’i shijojnë rrezet e tij, pa frikën se mund të çojnë në shtëpi vdekjen, le të ulemi, të bëjmë analiza e të japim opinione për teoritë e tjera konspirative.

Me konsideratë
Hajdar Muneka, ish ambasador në Kinë


EMISIONET