Kuvendi i çon KQZ 56 mandatet e dorëhequra të opozitës

Kuvendi i çon KQZ 56 mandatet e dorëhequra të opozitës

Ndryshe nga sa mendohej, Kuvendi i dërgoi pa vonesë KQZ-së kërkesën për heqjen e mandateve të deputetëve të opozitës. Në pritje të vendimit të KQZ-së tensionet duket se janë rritur. Kryetarja e LSI-së paralajmëron kërcënim të anëtarëve të partisë nga Rilindja, ndërsa ish-kryeministri Berisha tha se vendi mund të shkojë në një konflikt civil. Përballë kësaj situate, ambasadori i BE-së, Luigi Soreca, bën thirrje për dialog mes palëve.

Kuvendi i Shqipërisë nëpërmet Sekretarit të Përgjithshëmi ka përcjellë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dorëheqjet e 56 deputetëve të opozitës nga mandati parlamentar.

Vendimi është marrë 24 orë pas dorëzimit të tyre nga Lulzim Basha.

Pas këtij veprimi, është KQZ që do të veprojë me procedurat për rishpërndarjen e mandateve nga listat e kandidatëve të partive respektive.

39 mandate i përkasin Partisë Demokratike dhe 17 i përkasin Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Fatmir Mediu, Rudina Hajdari, Myslym Murrizi dhe Nard Ndoka janë deputetët që nuk i kanë dorëzuar ende nga demokratët, ndërsa nga LSI vetëm Lefter Koka ka refuzuar të lërë mandatin.

Duket se në këtë mënyrë mazhoranca nuk ka pranuar kërkesat e opozitës.

Ndërkaq LSI ka zhvilluar mbledhjen e Këshillit Drejtues Kombëtar, ku ka paralajmëruar se prej mazhorancës pritet të ushtrohet presion.

Kryemadhi: Ne jemi të përgatitur për çdo lloj skenari të mundshëm që kërkon të organizojë grupi kriminal që sot ka emrin Rilindje.Të jeni të bindur se presioni, dhuna dhe intimidimi ndaj njerëzve të LSI do të jetë pafundësisht, dikujt do ti trokasë policia në derë, dikujt do ti hiqet gruaja nga puna qoftë dhe sanitare në një shkollë fshati, dikujt do ti vijë ndonjë letër prokurorie që e thërret, dikujt do ti vijë me zarfin me para në shtëpi për të shlyer borxhet apo për të paguar shkollën e fëmijës apo diçka tjetër, dikujt do ti vendosin lëndë eksplozive në dyert e shtëpive apo bizneseve. Nuk na ndalin dot sepse nuk është më shumicë, është vetëm dhe nuk ka më njeri që e gjëmon nga mbrapa.

Më i ashpër në qëndrim ka qenë ish-kryeministri, Sali Berisha.

Berisha: Unë u bëj thirrje socialistëve mos e nëvlerësoni situatën sepse në mënyrë absolute dënimi, ndëshkimi mbarëpopullor për Edi Ramën po afron dhe do të jetë i sigurt dhe tepër i rëndë.

Por nga Korça, ambasadori i BE-së në Shqipëri Luigi Soreca kërkoi uljen e palëve ne dialog.

Soreca: Ajo që mund të them është se pa dialog nuk ka zgjidhje dhe në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së, rrugë drejt të cilës ajo ka bërë një progres të madh.

Pas dorëzimit të mandateve të opozitës në parlament mbeten 81 deputetë


 

EMISIONET