Kryeministri i Kosovës Hoti pritet nga presidenti francez Macron

Presidenti francez, Emmanuel Macron, priti sot në Paris kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, takimi i parë në kuadër të zhvillimeve të kësaj jave që pritet të shënojë rifillimin e bisedimeve Kosovë – Serbi, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Në një postim në rrjetet sociale, kryeministri Hoti shkroi se “marrëdhëniet e Kosovës me Francën janë të shkëlqyera, ndërsa Franca ka luajtur rol kyç në të gjitha fazat e shtet-ndërtimit të Kosovës dhe populli i Kosovës është mirënjohës për këtë. Biseduam për zhvillimet në Kosovë dhe rajon, me fokus në perspektivën euro-integruese si e vetmja mundësi për paqe, stabilitet dhe prosperitet të kësaj pjese të Evropës. Biseduam edhe për nevojën e heqjes së regjimit të vizave për kosovarët”.

Franca, shkroi ai, “mbetet e përkushtuar për të ndihmuar Kosovën në mbështetjen e procesit të dialogut me Serbinë, i cili duhet të përfshijë njohjen reciproke dhe normalizimin e marrëdhënieve”.

Pas takimit në Elysee, me Presidentin francez Emmanuel Macron, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës Hoti nënshkroi dy marrëveshje bilaterale Kosovë-Francë. Nga pala franceze marrëveshjet u nënshkruan nga Sekretari i Përgjithshëm në MPJ, Francois Delattre.

Njëra marrëveshje e mundëson zhvillimin e aktiviteteve në Kosovë të Agjencisë franceze për zhvillim, kurse tjetra e lejon punësimin e anëtarëve të familjeve të diplomatëve. Me këtë marrëveshje vendosen bazat e bashkëpunimit mes Qeverisë së Kosovës dhe Bankës Franceze për Zhvillim në sektorët si energjia, shëndetësia, sektori i ujit, teknologjia digjitale, trajnimi profesional etj.

Përveç mbështetjes që Franca i jep Kosovës nëpërmjet Bashkimit Evropian, këto dy marrëveshje shënojnë thellim konkret të marrëdhënieve bilaterale në mes dy vendeve. Qeveria e Kosovës dhe ajo e Francës janë duke përgatitur një numër marrëveshjesh, të cilat dëshmojnë kualitetin e shkëlqyeshëm të marrëdhënieve dypalëshe.

Të enjten presidenti Macron do të presë në Paris edhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Të premten presidenti Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, do të zhvillojne një video konferencë me kryeministrin Hoti dhe presidentin serb Vuçiç, të cilët të dielën në Bruksel do të ulen përballë njëri-tjetrit në takimin e parë mes palëve që nga vjeshta e vitit 2018.




EMISIONET