Kryeministri britanik Boris Johnson i rikthehet sot punës

Kryeministri britanik Boris Johnson i rikthehet sot punës

Kryeministri britanik, Boris Johnson, i është rikthyer punës një muaj pas diagnostikimit me koronavirus, për t'u përballur me pandeminë por edhe me kritikat se qeveria e tij nuk ka qenë në lartësinë e duhur për ta luftuar armikun e padukshëm që ka vrarë mbi 20 mijë qytetarë.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, është rikthyer për të rimarrë me kohë të plotë detyrat në përballjen e vendit me pandeminë.

55-vjeçari Johnson mbërriti të dielën në selinë qeveritare pasi kaloi disa ditë në spital me simptoma të koronavirusit.

Që prej daljes nga reparti i kujdesit intensiv dy javë më parë, ai ka vijuar konsultat për situatën nëpërmjet takimeve virtuale.

Britania e Madhe ka regjistruar mbi 150 mijë persona të infektuar që prej aplikimit të karantinës muajin e kaluar, ndërsa viktimat kanë arritur mbi 20 mijë.

Qeveria e re e Johnsonit është kritikuar për reagimin e vonuar që mund ta ketë rritur bilancin e infeksionit, por edhe për numrin e ulët të testimeve në popullatë apo mospajisjen e stafit mjekësor me mjetet dhe aparaturat e nevojshme.

Përpos qytetarëve, edhe mes ligjvënësve konservatorë të kryeministrit po rritet presioni për lehtësimin gradual të masave të karantinës.

Vendimi për ndryshime madhore pritet të merret para datës 7 maj.

Ish-ministri i Financave, Filip Hamond, në fundjavë paralajmëroi se vendi nuk mund ta tolerojë gjendjen e shtetrrethimit deri në gjetjen e një vaksine, dhe se ekonomia nuk do të mbijetonte dot aq gjatë.

Sipas një analize të fundit, kriza e koronavirusit ka rritur pasiguritë në tregun e punës duke lënë 2 miliona veta pa punë në muajin prill, në rrezik të shtuar rreth 35 për qind të punonjësve kryesisht në sektorët si hoteleria dhe turizmi dhe personat me shkollimin më të ulët.

Një raport parlamentar tregon se në këto pak javë janë rritur me gati 50 për qind edhe rastet e dhunës në familje, ndërsa numri i vrasjeve është dyfishuar.

EMISIONET