Bursat europiane dhe ato aziatike vazhdojnë të reflektojnë hezitim duke e mbajtur vlerën e aksioneve të tyre poshtë mesatares mujore.

Indeksi kryesor i Eurozonës, bursa gjermane dhe ajo e Londrës zbritën të enjten, 23 prill, të gjitha prej frikës se pandemia e koronavirusit po i çon ekonomitë e kontinentit drejt recesionit.

Rezultati u ndikua nga raportimet prej shteteve kyç si Gjermania dhe Franca, ku niveli i besimit të konsumatorëve te ekonomia ra në vlerat më të ulëta të regjistruara ndonjëherë, ndërsa në Britaninë e Madhe, sondazhet tregojnë se pesë në gjashtë biznese nuk do mund t'i përballonin dot financiarisht masat e tejzgjatura të shtetrrethimit.

Në Azi, ndërkohë, indeksi kinez i aksioneve mbeti po njësoj, ai japonez u rrit deri 1,5 për qind, ndërsa bursa koreanojugore arriti gati 1 për qind më lart.

Optimizmi në këto tregje pasqyroi rezultatet e para pak orëve në SHBA, ku të gjitha tregjet po ashtu u gjallëruan nga premtimi se qeveria amerikanë do e stimulojë ekonominë e goditur nga koronavirusi.

Dhe çmimet e naftës rikuperuan humbjet e fillimjavës, dhe brutoja e standardit amerikan u rrit me mbi 9 për qind në 15 dollarë fuçia nga 60 dollarë në muajin janar, ndërsa Brent-i europian drejt 22 dollarëve fuçia apo trefish më pak sesa në fillimin e vitit.

Prodhuesit kryesorë të naftës kanë ndërhyrë për ta stabilizuar tregun duke ulur prodhimin, për t'i korresponduar kërkesës në rënie me mbi 30 për qind për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Ndërkaq, në këto kohë krize, metalet e çmuara vazhdojnë të shihen si investimi më i sigurt, dhe vlera e floririt të enjten iu afrua rekordeve më të larta historike të arritura dhjetë ditë më parë.

/Ora News.tv/