Maqedonia e Veriut po përballet me një valë të dytë të Covid-19.Kryetari i Komisionit për Sëmundjet Infektive, Zarko Karadzovski, tha se lehtësimi i masave gjatë Ramazanit, me mbrëmjet e iftarit dhe më pas festimin e Bajramit u kthyen në boomerang për autoritetet.

"Ajo që ndodhi pas lehtësimit të kufizimeve është për shkak të mosrespektimit të plotë të masave parandaluese, siç është mbajtja e maskës mbrojtëse, parandalimi i grumbullimit të më shumë se dy personave. U kthye tek ne si një boomerang Ramazani, Bajrami dhe mbrëmjet e  iftarit. Numri i pacientëve ka filluar të rritet për shkak të mosrespektimit të masave ", tha Karadzovski.

"Besoj se 20% e qytetarëve nuk besojnë se ekziston një virus, por vetëm ata që nuk janë infektuar nuk e dinë se sa e dhimbshme është kjo. Ju lutemi respektoni masat, sepse vetëm me respektim të vazhdueshëm të masave mund të dalim nga kjo" apeloi ai.

Sipas tij, vala e dytë e sëmundjes është shfaqur tani dhe nga 26 maji e tutje, numri është pothuajse i barabartë me numrin e pacientëve në prill.

"Ne kemi arritur në një pikë ku e gjithë Europa dhe madje edhe bota janë duke hequr masat, dhe ne kemi bërë të njëjtën gjë, duke pritur që masat të respektohen. Jam jashtëzakonisht i zhgënjyer nga moszbatimi i atyre masave, "shtoi Karadzovski.

Ai shpjegoi se sa më shumë teste kryhen, aq më i lartë është numri i të infektuarve.

Ashtu si Ministri Venko Filipce, edhe ai beson se virulenca e virusit po bie, duke e arsyetuar këtë pretendim me faktin se gjithnjë e më shumë njerëz të diagnostikuar rishtazi nuk kanë simptoma.

Karadzovski tregoi se nga 10 raste të reja, shtatë janë asimptomatike, gjë që tregon se virulenca e virusit është zvogëluar.

Lidhur me sulmet e publikut, Karadzovski sqaroi edhe një herë se Komisioni është një organ këshillues i Ministrisë së Shëndetësisë, dhe jo një ekzekutiv, duke shtuar se vendimet përfundimtare merren nga Ministria e Shëndetësisë dhe Ministri Venko Filipce.

Ai tha se kritika e publikut në kurriz të tij janë të pajustifikuara dhe të pakëndshme, por shtoi se në emër të luftimit të pandemisë është i gatshëm ti durojë.

"Ne nuk jemi qeveria e këtij vendi. Kjo është vizita ime e katërt në qeveri. Ministri Venko Filipce është ministri im i trembëdhjetë. Ju lutemi mbajeni këtë në mendje para se të më sulmoni publikisht. Mua dhe familjes sime nuk na pëlqen kjo por do të duroj për shkak të kësaj, sepse jam i fortë si qen. Nuk e shpalla fitoren ndaj virusit, por do të shpall fitoren për një vit ose kur do të ketë një vaksinë. Asnjë Komision, me dëshirën e Zotit, nuk do t'ju ndihmojë këtu, dhe as ne nga Komisioni i Sëmundjeve Infektive deri sa t'i respektoni masat. Unë nuk kam vrarë njeri që të ndjehem përgjegjës. Përgjegjësia ndihet vetëm kur kryeni një krim. Edhe kur fruthi ishte ndezur, nuk u ndjeva përgjegjës kur u shfaqa në televizion 19 herë, as tani kur punoj përkushtimisht në interes të shëndetit të qytetarëve," tha Karadzovski.

Edhe Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipce,  deklaroi se vala e dytë e Covid-19 është për shkak të mosrespektimit të masave.

"Kjo valë e dytë është rezultat i mosrespektimit të masave. Ne kontrolluam me sukses valën e parë, por mosrespektimi i masave kufizuese në periudhën 23-25 maj, saktësisht dy javë më parë, shkaktoi këtë valë të dytë. Virusi është këtu, duhet të mësojmë të jetojmë me të, por edhe të respektojmë në mënyrë të vazhdueshme masat universale - maskën, dezinfektimin dhe distancën fizike", tha Filipce.

Sipas të dhënave zyrtare, Maqedonia e Veriut regjistroi 127 raste të reja me koronavirus, ndërsa 3 persona humbën jetën.

Numri i përgjithshëm i rasteve të diagnostikuara që nga fillimi i epidemisë është 3,152, numri i pacientëve të shëruar është 1,653, numri i vdekjeve është 156.

 Aktualisht numri i rasteve aktive në vend është 1,343.

/Ora News.tv/