Dy ushtarë turq janë vrarë në Libi. Ata janë viktimat e para që Turqia ka konfirmuar që kur dërgoi trupa në shtetin e pasur me naftë.

"Dy nga ushtarët tanë kanë rënë dëshmorë në Libi", tha Presidenti Rexhep Tajip Erdogan, pa dhënë detaje të tjera.

Muajin e kaluar, Turqia dërgoi ushtarë dhe luftëtarë sirianë në Libi për të forcuar qeverinë e mbështetur nga Kombet e Bashkuara në Tripoli.

Kryeqyteti ka qenë nën një rrethim 10-mujor nga forcat besnike të gjeneralit renegat, Khalifa Haftar, shkruan BBC.

Ushtria e tij Kombëtare Libiane (LNA) mbështetet nga Egjipti, Rusia, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa qeveria në Tripoli mbështetet nga Turqia dhe aleati i saj Katari.

Turqia nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi ushtarak me qeverinë me qendër në Tripoli vitin e kaluar, duke i hapur rrugën vendosjes së trupave.

Turqia gjithashtu ka dërguar luftëtarë nga grupi rebel i Ushtrisë Kombëtare Siriane në shtetin e Afrikës së Veriut.

/Ora News.tv/