Katër vjet pas miratimit me konsensus në Kuvend, diplomatja amerikane gjykon se reforma në drejtësi ende nuk i ka përmbushur kërkesat e popullit shqiptar për një sistem drejtësie të pavarur dhe të drejtë.

Në një editorial, ku flet edhe për opinionin e Venecias, Ambasadorja amerikane thekson se kjo është një mundësi që palët të bashkohen për të çuar përpara reformën në drejtësi.

Kim: Nuk është rasti për akuza apo valle fitoreje. Asnjë institucion nuk ishte tërësisht fajtor. Asnjë institucion nuk e kishte tërësisht drejt apo tërësisht gabim. Komisioni i Venecias pranon se ekzistojnë interpretime të ndryshme, legjitime të dispozitave ligjore, të cilat “çuan në emërimin me pikëpyetje të dy gjyqtarëve’ për të njëjtin vend në Gjykatën Kushtetuese.

Kim thotë se as Presidenca dhe as Parlamenti nuk është një gjykatë me autoritetin për të vendosur se si duhet ecur përpara kur në legjislacion ka një boshllëk.

Kim: Komisioni i Venecias vë në dukje se “Varet nga Gjykata Kushtetuese që të vendosë për interpretimin e dispozitave të Kushtetutës në një situatë që nuk parashikohet në procesin e hartimit.” Kjo këshillë thekson urgjencën e ngritjes së një Gjykate Kushtetuese funksionale sa më shpejt që të jetë e mundur.

Diplomatja amerikane, ua hedh përgjegjësinë udhëheqësve të Shqipërisë që të ndjekin këshillën e qartë të Komisionit të Venecias dhe të bëjnë funksionale gjykatën Kushtetuese.

Kim: Opinioni i Komisionit të Venecias hap një shteg përpara. Me qëndrimin në detyrë të gjyqtarëve të tanishëm, është e mundur që gjykata të arrijë kuorumin në vitin 2020. Presidenca dhe Parlamenti duhet të angazhohen në dialog përpara se të marrin listat e kandidatëve për emërimet. Edhe një herë, duhet të ekzistojë të kuptuarit e përbashkët të zbatimit për të harmonizuar ndonjë interpretim mosdakordësues të ligjit.

Duke rikujtuar shembullin e Skënderbeut, Ambasadorja e SHBA është në një mendje me Komisionin e Venecias dhe i kërkon popullit shqiptar që të bashkohet dhe udhëheqësit duhet të përgjigjen për detyrimin e tyre për të siguruar që Gjykata Kushtetuese të jetë funksionale, për t’i dhënë qytetarëve Reformën në Drejtësi që iu detyrohen, dhe për të siguruar të ardhmen e tyre.

/Ora News.tv/