Kinema nga ballkoni në Madrit, shfaqen filma në çdo lagje për njerëzit në karantinë

Kinema nga ballkoni në Madrit, shfaqen filma në çdo lagje

Në Spanjë, qeveria lokale, ka aprovuar  një ide origjinale për të argëtuar njerëzit në karantinë. Ekrane gjigante të lëvizshme vendosen në çdo lagje ku fqinjët mund të shikojnë filma apo seriale të ndryshme.

Nëse në këto ditë gjatë karantinës ju mungon kinemaja, mund të gjendet një zgjidhje. Ideja vjen nga Spanja, ku qeveria lokale për t’ju gjendur më pranë njerëzve sjell në çdo lagje kinemanë e lëvizshme. Kështu, njerëzit që jetojnë në Madrid kanë pasur mundësi të shikojnë filma nga ballkonet e tyre.

Iniciativa në fakt u propozua nga një qytetare nga Madridi, e cila pyeti këshillin e qytetit nëse do të ishte e mundur të realizohej dhe propozimi u aprovua. Kinemaja e re e ballkonit lëviz në një lagje tjetër çdo mbrëmje që njerëzit të shikojnë një film me fqinjët e tyre.

“Kjo mund të konsiderohet si një kinema në stinën e verës dhe ndihesh sikur je jashtë shtëpisë”, tha ideatorja e kësaj iniciative.

Banorët u shprehën shumë entuziastë dhe treguan se po e shijojnë shumë këtë mënyrë të të parit filma.

“Jam vetëm gjatë gjithë muajit në apartamentin tim të vogël dhe me këtë ide ndiej se jam lidhur përsëri me jetën reale dhe me njerëzit e tjerë, jo vetëm virtualisht. Ndjeva një lidhje edhe me fqinjët”, tha një banor.

"Kur pashë një episod të 'Modern Love', të cilin në fakt e kisha parë edhe më herët, më bëri të mendoj se edhe në situatat më të vështira duhet të besojmë në fuqinë e dashurisë”, u shpreh një banore.

Pas përfundimit të filmit njerëz nga ballkonet e tyre duartrokisnin si shenjë e përshëndetjes së kësaj nisme. Madridi ka bërë tashmë 6 javë të një karantinimi me masa të ashpra.

EMISIONET