Jonuz: Kemi një surprizë ndaj Partizanit

Jonuz: Kemi një surprizë ndaj Partizanit

Java e tetë e Superliges së futbollit shqiptar që starton të premten me çiftin Teuta-Flamurtari vijon edhe me katër takimet e tjera të ditës së shtunë, mes të cilëve edhe ai Vllaznia-Partizani.

Një sfide kjo që pritet me emocione nga tifozeria, por edhe skuadra kuqeblu që ka bërë të gjitha përgatitjet. Me surpriza në fushë dhe me objektiv fitoren, janë këto dy pikat kryesore që trajneri Mirsad Jonuz preku në konferencën për shtyp, një ditë përpara takimit. Ai e quajti muaj të rëndësishëm këtë, pasi Vllaznia luan përpos Partizanit edhe me Flamurtarin dhe Laçin që duhet t’i kurorëzojë me sukses.

Mirsad Jonuz: “Marrim të njëjtat pikë, si me Partizanin, Kukësin, Flamurtarin e Laçin. Fitorja nesër do të ishte shumë e rëndësishme, si për mua, skuadrën dhe qytetin. Kam ndryshuar komplet skemën me Kukësin, gjithashtu në ndeshjet e tjera. Vllaznia ka shumë lojtarë, që luajnë në pozicione të ndryshme, kjo është e rëndësishme. Nuk është i rëndësishëm Çinari te Partizani, që nesër vjen si kundërshtar, as Hasani te Tirana e çdo lojtar tjetër, por skuadra. Nuk luan një lojtar, por e gjithë skuadra. Unë nuk kam presion, as skuadra dhe lojtarët. Fundja, pse duhet të kemi? Ky është fillimi i kampionatit. Pritshmëritë? Janë në varësi të lojës, si do të shkojë ndeshja, por dua të fitoj”.

Forma sportive e skuadrës është e mirë dhe të gjithë lojtarët janë në dispozicion të Jonuz, i cili thekson se skuadra është larg euforisë së të qenarit kryesuese e klasifikimit.

Mirsad Jonuz: Na pret një ndeshje e fortë. Partizani ka një organikë të mirë lojtarësh, bashkë me trajnerin. Ne vijmë pas dy fitoresh, kemi një situatë të mirë psikologjike në të gjitha drejtimet. Është një situatë ndryshe nga ajo pas Tiranës dhe Bylisit. Kemi luajtur 7 ndeshje kampionat dhe të gjithë lojtarët janë në maksiumimin e tyre. Nesër presim sa më shumë tifozë në stadium dhe shpresoj të dalim të gjithë të lumtur. Kërkoj nga lojtarët e mi që të japin më të mirën. E kam parë “live” Partizanin ndaj Laçit, kam studiuar edhe disa video të ndeshjeve të tjera të tij. Gjithë javës kam folur me lojtarët e mi për këtë kundërshtar. Nesër besoj se do të kemi një surprizë ndaj Partizanit. Natyrisht, pres çdo gjë, sepse Partizani është një skuadër profesioniste, me trajner profesionist. Kam parë se e ndryshon shpesh taktikën. Një herë luan me katër mbrojtës, pastaj me tre mbrojtës, ndonjëherë me tre sulmues. Shumë lojtarë mund t’i përdorë në pozicione të ndryshme.

 Jonuz ka edhe një mesazh për tifozërinë shkodrane, e cila pritet të jetë e shumtë në këtë ndeshje.

Mirsad Jonuz: Kam një mesazh për lojtarët dhe tifozët tanë: të kemi sa më shumë vetëkontroll. Lojtarët të jenë sa më të qetë, bashkë me tifozët. Sidomos 20 minutat e para do të jenë shumë të rëndësishme.

Për njëshin e pankines kuqeblu, nuk ka rëndësi se kush luan tek Partizani, Çinari, Asani apo ndonjë tjetër, pasi ai beson se skuadra e tij do të bëjë detyren në këtë ndeshje për të dalë fituese. Në pritje të sfides Vllaznia-Partizani që luhet në oren 17.00 të së shtunës në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, skuadra kuqeblu ka konsumuar të premten seancen e fundit stervitore.

EMISIONET