Dy persona ranë në prangat e policisë për shpërndarjen e lëndëve narkotike në Pogradec.

Në kuadër të operacionit “Topleci”,  për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, policia arrestoi në flagrancë shtetasit me iniciale F.Sh., 26 vjeç dhe S.B., 39 vjeç të dy banues në Pogradec.

Atyre iu gjet një sasi e vogël kanabis sativa ndërsa nga kontrolli në banesën e tyre u sekuestrua dhe 1 kg të tjera.

“Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore se këta shtetas shpërndanin lëndë narkotike në qytet, bënë lokalizimin dhe ndalimin e tyre në lagjen nr. 4. Gjatë kontrollit fizik, shtetasit F. Sh. iu gjet një sasi e vogël me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, ndërsa nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit S. B. u gjet dhe u sekuestrua 1 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis” – njofton policia.

Ndalimi i tyre u bë në lagjien nr 4 në qytet. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve".

/Ora News.tv/