Një 38-vjeçar i kërkuar nga drejtësia italiane është arrestuar në Tiranë.

Ai akuzohet për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve në sasi të mëdha, kryer në bashkëpunim”.

Kapet dhe arrestohet  nga DVP Tiranë, 38-vjeçari i kërkuar nga drejtësia italiane për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve në sasi të mëdha, kryer në bashkëpunim”.

''Për këtë shtetas, Gjykata e Hetimeve Paraprake e Romës, me vendimin nr. 54980/16 RGNR-24411/19 RG GIP, datë 18.11.2019 ka caktuar masën e arrestit ndërkombëtar, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve në sasi të mëdha, kryer në bashkëpunim”. Maksimumi i dënimit është 10 vjet burgim. Drejtësia italiane ka bërë të mundur dokumentimin me prova ligjore të aktivitetit kriminal në fushën e narkotikëve, të këtij shtetasi dhe të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal'', njofton policia.

Ky shtetas, në rolin e ndërmjetësuesit, i ndihmuar dhe nga persona të tjerë, ka arritur t’i dorëzojë një shtetasi italian (trafikant droge), një sasi të madhe cannabis-i, e cila më pas është sekuestruar nga policia italiane, duke vënë para drejtësisë gjithë autorët e përfshirë në këtë aktivitet kriminal të kundërligjshëm.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Roma, vijon veprimet për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.

/Ora News.tv/