Dështon dialogu në Uashginton, Hoti kthehet në Prishtinë, anulon pjesëmarrjen

Dështon dialogu në Uashginton, Hoti kthehet në Prishtinë,

Një takim nga më të rëndësishmit prej vitesh mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka mundur të realizohet këtë javë. Pas presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, edhe kreu i qeverisë Avdullah Hoti ka njoftuar mospjesëmarrjen në Shtëpinë e Bardhë. Për aktakuzën ndaj presidentit Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit Veseli, Departamenti i Shtetit thotë se janë hap për drejtësi në vend.

Takimi i 27 qershorit në Uashington që pritej të përvijonte të ardhmen shtetërore dhe raportet fqinjësore mes Serbisë dhe Kosovës, është anuluar nga pala kosovare.

Shkak është bërë aktakuza e ngritur një ditë më parë në Hagë, që ngarkoi presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, dhe ish-luftëtarë të tjerë të UÇK-së me afro 100 vrasje, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, njoftoi të enjten nga Brukseli se për shkak të këtij zhvillimi, ai ka kërkuar shtyrjen e takimit për më vonë, porse situata nuk rrezikon perspektivën e dialogut.

Deklarata e Hotit, pasoi atë të presidentit Thaçi, i cili me të mësuar pretendimet e Prokurorisë Speciale kundër tij, të mërkurën i prishi planet për pjesëmarrjen në Uashington.

Emisari i posaçëm amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Riçard Grënell, por edhe Departamenti i Shtetit në një reagim për "Zërin e Amerikës", thanë se i mirëkuptojnë vendimet.

“Ngritja e akuzave e njoftuar nga Prokurori i Specializuar është një hap përpara për procesin e realizimit të drejtësisë dhe ripajtimit në Ballkanin Perëndimor. Njoftimi është esencial për avancimin e shtetit ligjor dhe drejtësisë për viktimat në Kosovë, si dhe për vendin, që të kapërcejë këtë periudhë të tmerrshme dhe të bashkohet me komunitetin euro-atlantik,” deklaroi zëdhënësi i DASH-it për organizatën mediatike amerikane.

Këtë qëndrim e ndau gjatë ditës edhe observatori për të drejtat e njeriut, "Human Rights Ëatch".

Ndërsa faktorët politikë vendorë dhe rajonalë e më gjerë shprehën më herët bindjen për pafajësinë e luftës çlirimtare të Kosovës dhe të dy shtetarëve të lartë të vendit.

Vetë Veseli, një nga drejtuesit e lëvizjes studentore të Kosovës në fundvitet '80 dhe komandant i Shërbimit Informativ gjatë periudhës së UÇK-së, tha se do i faktojë akuzat e pabaza, për të provuar se ishte Serbia, jo shqiptarët, përgjegjëse për ndodhitë e shekullit të kaluar.

Të enjten, reagimi i presidentit Thaçi ishte më figurativ, duke e hapur faqen e tij të Facebook-ut me flamurin e UÇK-së të shtrirë mbi një sfond të zi.

Zyra e Prokurorit në Hagë njoftoi të mërkurën se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, një aktakuzë me dhjetë pika që brenda muajit tetor do duhet të shqyrtohet ose të hidhet poshtë nga një gjyqtar.

EMISIONET