PD bën nul dokumentin e Tahirit: S'ka lidhje, krimin e kreu në Shqipëri

Nuk kaluan më shumë se 2 orë nga dalja para medias e Saimir  Tahirit, kur Partia Demokratike doli me një reagim të saj

Gazment Bardhi e quajti shfaqjen si një goditje të rëndë të reformës në drejtësi dhe i bëri thirrje ndërkombëtareve të mos lejojnë që Saimir Tahiri të shpëtojë pa u ndëshkuar.

"Shfaqja e sotme e Saimir Tahirit është një goditje e rëndë ndaj Reformës në Drejtësi. Është momenti që partnerët e huaj që i premtuan popullit shqiptar drejtësi të vërtetë dhe kapjen e peshqve të mëdhenj, të mbajnë premtimin dhe të mos lejojnë që një kriminel si Saimir Tahiri të shpëtojë pa u ndëshkuar."

Partia Demokratike vijon akuzat se qëllimi i Ramës është prishja e hetimeve dhe ka një argument që hedh poshtë pretendimet e Saimir Tahirit lidhur me mbylljen e hetimeve nga prokuroria e antimafias italiane.

"Qëllimi kryesor politik i Edi Ramës prej një viti është që Saimir Tahiri t’i shpëtojë drejtësisë dhe të mos ndëshkohet. Zgjidhja që Rama dhe Tahiri kanë gjetur është që prokuroria të prishë hetimet dhe të rrëzojë çdo akuzë për mbështetjen nga Tahiri të organizatës kriminale të Habilajve dhe trafikut të drogës. Për ta vënë në jetë planin e lirimit të Tahirit nga akuza për trafik droge dhe sabotuar çdo hetim, Edi Rama solli në krye të prokurorisë Arta Markun dhe Donika Prelën, të cilat larguan nga dosja Tahiri prokurorët kryesorë, që kërkuan arrestimin dhe  hetuan Saimir Tahirin. 

Hetimi italian është i parëndësishëm dhe nuk ka lidhje FARE me hetimin në Shqipëri.
Saimir Tahiri NUK i ka kryer krimet në Itali, por në Shqipëri:
• Ai bashkëpunoi me Habilajt në Shqipëri,
• U vuri atyre në dispozicion shefat e policisë në Vlorë që janë në arrati nga drejtësia
• Vuri në dispozicion të trafikut të drogës të paktën 127 punonjës policie.
• u vuri në dispozicion policinë kufitare,
• u vuri në dispozicion makinën dhe skafin e tij personal."

Prokuroria ta arrestoje

Bardhi i bëri thirrje prokurorisë të kërkojë ndryshimin e masës së sigurisë nga detyrim paraqitje në arrest me burg për Saimir Tahirin.

"Prokuroria shqiptare ka sot të gjitha provat që vërtetojnë përtej çdo dyshimi përfshirjen aktive të Saimir Tahirit në mbrojtjen e Habiljave dhe të trafikut të drogës. Sajmir Tahiri është simboli i politikanit mafioz, produkt i lidhjes me krimin që nga Habilajt e deri tek Shullazi. I trimëruar nga mbrojtja mafioze që i ka garantuar Edi Rama përmes Arta Markut dhe Donika Prelës, Saimir Tahiri kërcënoi sot çdo polic, prokuror dhe gjyqtar që mund të guxojë të mos u bindet urdhrave dhe të vazhdojnë hetimin ndaj tij. Tahiri kërcënoi sot në mënyrë mafioze indirekt edhe të gjithë ata që kanë dëshmuar apo kanë prova kundër tij.
Pas këtyre kërcënimeve, prokuroria duhet të kërkojë ndryshimin e masës së sigurisë nga detyrim paraqitje në arrest me burg për Saimir Tahirin. Sot ai jo vetëm ka kryer vepër penale duke kërcënuar punonjësit e drejtësisë, por ka vertetuar se, nëse mbetet i lirë, ai përbën rrezik për pavarësinë, prishjen e provave dhe vazhdimin e hetimeve."


EMISIONET