Gjonaj: Vendimi për Dritan Dajtin, rast i paprecedentë

Gjonaj: Vendimi për Dritan Dajtin, rast i paprecedentë

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj e konsideroi rast të paprecedentë vendimin e Gjykatës së Apelit për t'i hequr burgimin e përjetshëm Dritan Dajtit, i akuzuar për vrasjen e 4 policëve.

Gjonaj tha se vendimi është në kundërshtim me çdo proces standard, duke theksuar se Ministria e Drejtësisë do ti drejtohet KLGJ-së për të marrë masat e menjëhershme për procedimin disiplinor të gjyqtarëve lidhur me këtë rast.

Një reagim ka ardhur edhe nga Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, i cili u shpreh se gjyqtarët meritojnë të shkojnë pas hekurave së bashku me klientët e tyre.

Dy ditë më parë Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda rrëzoi dënimin me burgim të përjetshëm të Dritan Dajtit, i shpallur fajtor për vrasjen e katër ish-efektivëve të policisë. Përfundimisht Dritan Dajti u dënua me 25 vite burg.

Gjonaj: Jam sot përpara jush në këtë deklaratë për shtyp, për një rast të paprecedent dhe shokues të ndodhur në vendimmarrjen e drejtësisë shqiptare dy ditë më parë lidhur më çështjen e Dajti.

Vendimi i trupës së gjyqtarëve për pranimin e gjykimit të shkurtuar dhe uljen e dënimit me 25 vjet për një të pandehur që akuzohet për vrasjen e 4 policëve tregon qartë se kemi të bëjmë me një aferë korruptive dhe në kundërshtim me Kodin e procedurës penale.

Prej 48 orëve kemi punuar intensivisht për të adresuar një skandal të papranueshëm të përmasave të tilla të patolerueshme të gjyqtarëve që kanë dhënë vendimin tërësisht në kundërshtim me ligjin për personin e akuzuar për vrasjen e 4 policëve.

Duke ndarë me publikun revoltën legjitime të çdo qytetari përballë këtij lajmi të shëmtuar që vjen nga segmente të drejtësisë ku ende nuk ka arritur procesi i vettingut, dua t’i siguroj të gjithëve që jo vetëm nuk mund të pajtohemi kurrë me faktin e kryer në këtë rast por do të ndjekim të gjitha hapat me mjetet ligjore që jeta e 4 dëshmorëve të atdheut të peshohet në kandarin e korrupsionit të mungesës totale të integritetit dhe profesionalizmit të disa gjyqtarëve të cilët nuk meritojnë asgjë tjetër përveçe përbuzjes të çdo qytetari të ndershëm.

Vendimi është në kundërshtim me çdo standard të procesit penal dhe rrezikon të krijojë një precedent të rrezikshëm, në dhënien e lirisë së elementëve kriminalë.

Gjej rastin të që ta rinënvizojë se Qeveria dhe kjo shumicë qeverisëse as nuk ka dhe as nuk e synon vendosjen e kontrollit mbi drejtësinë por në raste të tilla papërgjegjshmërie të drejtësisë së një vendi që aspiron për të hyrë në Bashkimin evropian nuk mund të rri pa reaguar me të gjitha format ligjore.

Fatkeqësisht kjo drejtësi në reformim e sipër, që hera herës shfaq fytyrën e saj të vjetër të përbuzjes të vetë drejtësisë, na vendos të gjithëve në një pozitë të vështirë por të gjithë duhet të kuptojnë se vetëm përfundimi i zbatimit të Reformës në Drejtësi, pastrimi nga radhët e drejtësisë të gjyqtarëve, si ata që ulën dënimin e vrasësit të 4 policëve, është rruga për të ndaluar përgjithmonë këto vendime të paligjshme.

Ndërkohë, gjej rastin të informoj që paralelisht me Reformën në Drejtësi ne do të përshpejtojmë reformën në rritjen e sigurisë në burgje si masa imediate në luftën kundër krimit të organizuar ku pas instalimit të monitorimin 24 orë të seksioneve të sigurisë së lartë në burgje, instalimit të regjimit 41 bis dhe paketës ligjore me ndryshimet të kësaj natyre si pjesë e paketës antikrim do të miratohet së shpejti për forcimin e mëtejshëm të nivelit të sigurisë në institucionet penitenciare.

Ministria e Drejtësisë do ti drejtohet KLGJ-së për të marrë masat e menjëhershme për procedimin disiplinor të gjyqtarëve lidhur me këtë rast të paprecedent të shkeljeve në kundërshtim me çdo standard të gjykimit të shkurtuar dhe procesit penal.

Pasuria është një element i rëndësishëm për t’u vlerësuar nga institucionet e vettingut por mbi të gjitha i kërkoj Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe ONM-së që në vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të fokusohen në elementë të tillë që çdo gjyqtar ose prokuror me vendimmarrjen e tyre kanë mundësuar që grupet kriminale ti shpëtojnë forcës së ligjit.

Mbështes prokurorinë në ankimimin në Gjykatën e Lartë me qëllim që parregullsitë e procesit në apel të rivendosin drejtësinë në vend.

Qytetarët shqiptarë meritojnë një sistem drejtësie ku gjyqtarët dhe prokurorët me kurajo, përgjegjshmëri dhe në zbatim të ligjit të marrin vendime të drejta të pandikuara nga asnjë lloj rrethane tjetër dhe të japin drejtësi".


Anulohet dënimi përjetë për Dritan Dajtin, vrau 4 policë

"Burgu përjetë i Dritan Dajtit u kthye në 25 vite", prokuroria bën rekurs

EMISIONET