Europa mund të gjendet sërish përpara një krizë të re migracioni pasi Turqia do të heqë një pjesë të kufizime në fuqi kundër koronavirusit. Alarmi është dhënë nga agjencia kufitare e Bashkimit Europian, “Frontex”, ndërkohë sipas mediave gjermane Greqia po përforcon sërish kufirin me Turqinë, sidomos pranë lumit Evros.

Përveç krizës së shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, Europa mund të gjendet sërish përballë një krizë të re migracioni. Agjencia kufitare e Bashkimit Europian, “Frontex”, paralajmëroi një tjetër fluks imigrantësh, pasi Turqia do të heqë një pjesë të kufizime në fuqi kundër koronavirusit.

Një dokument i “Frontex”-it i datës 5 maj dhe i publikuar nga gazeta “Die Welt”, nënvizon faktin se pas lehtësimit të kufizimeve në provincat turke Çanakale, Stamboll dhe Izmir, mund të rindizen lëvizjet masive të imigrantëve drejt kufirit greko-turk.

Raporti i përpiluar nga agjencia e BE-së që ka për detyrë të kontrollojë kufirin e zonës Schengen, shton se 262 oficerë policie nga rajone të tjera të Greqisë janë dërguar në zonën përreth lumit Evros, një pikë e nxehtë konflikti.

Në fund të shkurtit dhe fillimit të marsit, mijëra imigrantë iu afruan kufirit turko-grek dhe u përpoqën të kalojnë drejt Europës, pas vendimit të Ankarasë për të ndaluar bllokimin e tyre drejt Greqisë.

Udhëheqësit turq provuan të bindin BE-në për të shpejtuar transferimin e miliarda eurove ndihma për imigrantët dhe refugjatët që aktualisht strehohen në Turqi, por bisedimet rezultuan të vështira për shkak të problemeve me të drejtat e njeriut.

Turqia strehon aktualisht rreth katër milionë refugjatë, përfshirë 3.6 milionë sirianë.

/Ora News.tv/