Franca dhe Gjermania presin që dialogu të rinisë shpejt

Franca dhe Gjermania presin që dialogu të rinisë shpejt

Franca dhe Gjermania presin që dialogu midis Kosovës dhe Serbisë të rinisë shpejt, shkroi në një postim në Twitter Ambasada e Francës në Kosovë.

“Së bashku me kancelaren [e Gjermanisë, Angela] Merkel, presidenti [i Francës, Emmanuel] Macron, mbetet i gatshëm për të mirëpritur një takim në Paris”, tha ambasada franceze.

Edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, u shpreh në frymë të ngjashme, duke thënë se Franca dhe Gjermania inkurajojnë “mbajtjen e vrullit”.

“Ne i mbështesim fuqishëm përpjekjet e Bashkimit Evropian, me [të dërguarin e posaçëm për dialogun] Mirosllav Lajçak, për të arritur përparim të rëndësishëm, në afat të prekshëm kohor, për zgjidhje gjithëpërfshirëse. Qeveritë tona janë të gatshme të ndihmojnë takimin e propozuar në korrik”, shkroi ambasadori Heldt në Twitter.

Më 10 qershor, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë mund të rifillojë gjatë një samiti në Paris.

Dialogu është ndërprerë në fund të vitit 2018, për shkak të një takse që u ka vënë Qeveria e atëhereshme e Kosovës prodhimeve të importuara nga Serbia.

Barrierat tregtare me Serbinë tani janë hequr.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po ashtu ka paralajmëruar mbajtjen e një samiti në Francë, në mes të Kosovës dhe Serbisë, në javën e tretë të korrikut.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, javën e kaluar, Thaçi ka thënë se për këtë gjë është diskutuar edhe me vetë presidentin francez, Macron.

Këtë javë, Bashkimi Evropian ka konfirmuar se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë në korrik, por ka thënë se data nuk është konfirmuar ende.

Në Uashington, ndërkaq, një takim midis Kosovës dhe Serbisë, i thirrur nga i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun, Richard Grenell, nuk dihet nëse do të mbahet, pasi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka anuluar pjesëmarrjen, ashtu si edhe kryeministri Avdullah Hoti.

Kjo ka ndodhur pasi Zyra e Prokurorit Special në Hagë ka paraqitur të mërkurën aktakuzë për krime lufte kundër Thaçit, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë./REL/

EMISIONET