Komisioni Europian parashikon që këtë vit ekonomia e Eurozonës të tkurret me 7.75% për shkak të bllokimit ekonomik nga shpërthimi i COVID-19. Paralelisht papunësia do të arrijë në 9.5%. Rritja do të rikthehet në vitin e ardhshëm, sipas skenarit më optimist, por ajo do të jetë rreth në 6.25%.

Prodhimi i Brendshëm Bruto i Eurozonës do të tkurret me 7.75% këtë vit duke sjellë një recesion të panjohur më parë. 

Ky është parashikimi i parë zyrtar i Komisionit Europian, pas bllokimit ekonomik nga shpërthimi i COVID-19.

Parashikim negativ ka edhe për nivelin e papunësisë.

Komisioneri i BE-së për ekonominë, Paolo Gentiloni, pret që rimëkëmbja të jetë gjithashtu e fortë gjatë vitit 2021.

“Shkalla e papunësisë në eurozonë do të rritet në 9.5% në vitin 2020, nga 7.5% vitin e kaluar. Europa po përjeton një tronditje ekonomike të paprecedentë që nga koha e Depresionit të Madh,” tha komisioneri i Ekonomisë në BE, Gentiloni.

“Thellësia e recesionit dhe forca e rimëkëmbjes do të jenë të pabarabarta”, theksoi komisioneri, ndërsa shtoi se rritja e PBB-së në Eurozonë pritet të kthehet në 6.25% gjatë vitit 2021”, vlerësojnë zyrtarët e BE-së.

“Parashikimi bazohet në supozimin se masat e bllokimit për koronavirusin do të lehtësohen gradualisht nga fundi i majit,” theksoi ekzekutivi i BE-së.

Ky parashikim për ekonominë europiane vjen pas të dhënave të para negative nga ShBA-ja, ekonomia më e madhe e botës. Vetëm në tremujorin e parë, ekonomia amerikane u tkurr me 4.8 për qind, ndërsa mbi 30 milionë vetë kërkuan pagesën e papunësisë. 

/Ora News.tv/