Eurozona është përfshirë nga pasiguritë për implementimin e reformave, pas dështimit të negociatave qeveri-krijuese në Gjermani. Zyrtarët e eurozonës parashikonin plane për integrim më të thellë ekonomik për anëtarët e tregut të përbashkët, ku Gjermania do të luante një rol thelbësor. Por duket se këto plane do të duhet të presin derisa vendi të zgjidhë ngërçin politik.

Dështimi i bisedimeve për qeverinë e re gjermane do të thotë se planet ambicioze të eurozonës për integrim më të thellë ekonomik do të duhet të presin. Janë vetë zyrtarët e eurozonës ata që e pranojnë këtë, pasi Demokratët e Lirë zgjodhën të tërhiqeshin nga negociatat qeveri-krijuese, duke zhytur vendin më të fuqishëm të bllokut europian në pasiguri politike. Në dhjetor, liderët e eurozonës parashikohej të parashtronin planin e tyre të ri për një integrim më të thellë ekonomik në zonën e përbashkët europiane, ku Gjermania do të luante një rol thelbësor.

Samiti i eurozonës do të shërbente si pika fillestare e punës që do të konkludonte në qershorin e 2018, me vendosjen ose jo të një buxheti, ministri financash dhe asambleje të përbashkët në Parlamentin Europian. Kjo qasje e nxitur nga presidenti francez Emmanuel Macron gjithashtu përfshin edhe transformimin e fondit të shpëtimit të eurozonës në një Fond Monetar Europian dhe krijimin e një mekanizmi sovran të falimentit.


/Ora News.tv/